Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 ishin të pabarabarta, Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje keqpërdori resurset shtetërore, në prag të zgjedhjeve shpërndau para për qytetarët e subvencionoi linjat ajrore për diasporën.

Këto janë disa prej shqetësimeve që i ka evidentuar delegacioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në raportin e tyre gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Një shqetësim kryesor i identifikuar nga delegacioni i PACE-s dhe vëzhguesit vendas ishte mungesa e kushteve të barabarta të garës. Qeveria në detyrë, në prag të zgjedhjeve, mori vendime për të ofruar pagesa financiare njëherëshe për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe për të subvencionuar linjat ajrore për diasporën”, thuhet në raport.

“Koha e ndërmarrjes së këtyre masave u perceptua gjerësisht si e synuar për t’i sjellë përfitim partisë në pushtet. Delegacioni i PACE-s dëgjoi nga disa bashkëbisedues se këto vendime përbënin keqpërdorim të burimeve administrative dhe mjegullonin vijën ndarëse mes politikave publike dhe interesave zgjedhore”.

Një sjellje e tillë, aty theksohet se “u jep përparësi subjekteve në pushtet dhe cenon perceptimin për një konkurrencë të drejtë, edhe kur vendimet mund të kenë një justifikim të argumentueshëm në interesin publik”.

Mangësi tjetër përmendet edhe mungesa e debateve të drejtpërdrejta mes kandidatëve për Kryeministër. “Kjo e kufizoi mundësinë e votuesve për t’i krahasuar alternativat politike përmes një përballjeje të drejtpërdrejtë dhe e privoi fushatën nga përmbajtja thelbësore demokratike”.

Aty theksohet edhe se transparenca e financimit të fushatave “mbetet një fushë që kërkon përmirësim të konsiderueshëm”.

“DiA monitoroi shpenzimet e partive politike për reklamat në rrjetet sociale dhe identifikoi shpenzime që tejkalonin 100 mijë euro në platformat e Meta-s vetëm gjatë javës së fundit të fushatës”.

Pra, sipas raportit, zgjedhjet nxorën në pah sfida strukturore të vazhdueshme: “kushte të pabarabarta në garën zgjedhore, si pasojë e keqpërdorimit të resurseve shtetërore nga Qeveria në detyrë; lodhjen e votuesve dhe rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje; një fushatë që nuk pati debat përmbajtjesor mbi politikat dhe përballje të drejtpërdrejta mes kandidatëve kryesorë; kërcënimet në rritje nga dezinformimi i gjeneruar nga inteligjenca artificiale, gjuha e urrejtjes dhe dhuna digjitale; mbrojtjen e pamjaftueshme të kandidateve gra në mjedisin online; si dhe mangësitë e vazhdueshme në qasjen në zgjedhje, masat mbrojtëse për votimin jashtë vendit dhe përfaqësimin etnik në administrimin e zgjedhjeve”.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, VV-ja doli parti e parë me 47.13 për qind të votave, apo 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës e dyta me 19.44 për qind, apo 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 16.69 për qind, apo 18 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e katërta me 6.74 për qind, apo 7 deputetë.