Demokracia në Veprim ka vlerësuar se vendimi i Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve, pak kohë para zgjedhjeve, përbën shkelje dhe keqpërdorim të resurseve publike në periudhë zgjedhore.
Sipas DnV-së, “shpërndarja e pakove masive financiare krijon ndikim të drejtpërdrejtë në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës ndërmjet subjekteve politike, duke krijuar avantazh të padrejtë për partinë në pushtet”.
Në reagim thuhet gjithashtu se legjislacioni zgjedhor ndalon përdorimin e resurseve publike për qëllime që mund të ndikojnë në vullnetin e votuesve, përfshirë buxhetin e shtetit dhe resurset institucionale gjatë periudhës së fushatës.
DnV ka theksuar se Kuvendi nuk kishte miratuar ndryshimet në ligjin e buxhetit që do të parashikonin mjete për një pako të tillë, duke ngritur dyshime edhe për tejkalim të dispozitave të Ligjit për Qeverinë.
“Ndihma financiare e përgjithshme, pa situatë emergjente të re, e bën të vështirë ndarjen mes politikës sociale dhe ndërhyrjes elektorale”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, DnV u ka bërë thirrje institucioneve që të përmbahen nga përdorimi i resurseve publike në funksion të fushatës dhe të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme, duke kërkuar trajtim institucional të rasteve të tilla nga mekanizmat përgjegjës.









