Pas tërheqjes nga gara e kandidatit për Kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiç, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë me dije se kjo nuk do të ndikojë në mbajtjen e garës zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në këtë komunë, të cilat do të mbahen më 9 nëntor.
KQZ-ja ka njoftuar se në balotazhin në Kllokot do të jenë emrat e dy kandidatëve që kanë marrë vota më së shumti në raundin e parë, më 12 tetor, në këtë rast Spasiç-it dhe kandidatit të Listës Serbe, Bozidar Dejanoviç.
“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e 2 kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota në raundin e parë”, ka thënë për VOX Kosova zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Spasiç, kandidat nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar”, ka hequr dorë nga kandidatura duke iu bashkuar Listës Serbe, të cilën e ka pasur kundërkandidate.
Lajmi është bërë i ditur nga Lista Serbe – partia që dirigjohet nga Beogradi zyrtar – përmes një njoftimi për media. Nga kjo parti thanë se Spasiç së bashku me të gjithë anëtarët dhe këshilltarët e kësaj nisme iu bashkuan Listës Serbe, derisa theksuan se “besojnë pa rezerva në Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.
Edhe vetë Spasiç ka thënë se dëshiron që të gjithë kontributin dhe burimet e nismës qytetare t’i përqendrojë te Lista Serbe.
“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiç, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.
Kllokoti është komuna e vetme me shumicë serbe në Kosovë që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, shkoi në balotazh. Nëntë të tjerat u fituan nga Lista Serbe pa balotazh.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kllokot, Dejanoviç i Listës Serbe doli i pari me 41.38 për qind të votave, ndërsa i dyti Spasiç me 31.23 për qind.









