Koreja e Veriut të enjten publikoi imazhe të reja të asaj që pretendon se është nëndetësja e saj e parë me energji bërthamore, një mjet i madh në përmasa, i barabartë me disa nga nëndetëset sulmuese të Marinës së Shteteve të Bashkuara.

Fotografitë e publikuara nga media shtetërore tregonin liderin Kim Jong Un duke inspektuar nëndetësen me raketa të drejtuara në një objekt ndërtimi të mbyllur, duke treguar se ajo ende nuk është hedhur në ujë.

Ndërtimi i një nëndetëseje me energji bërthamore ka qenë një objektiv afatgjatë për Kim-in, i cili e diskutoi për herë të parë në një kongres të partisë në pushtet në vitin 2021. Por fakti që rivali i saj, Koreja e Jugut, ka marrë së fundmi miratimin e administratës Trump për të ndjekur programin e vet të nëndetëseve bërthamore, duket se i ka shtuar urgjencë planeve të Kim-it.

Këto mjete vijnë me shumë përparësi. Ato mund të qëndrojnë të zhytura për periudha shumë të gjata kohe – praktikisht për vite, nëse mund të mbajnë mjaftueshëm furnizime për ekuipazhin – ndërsa shumica e nëndetëseve me motorë konvencionalë duhet të dalin në sipërfaqe për ajër për të vënë në punë motorët dizel, të cilët më pas karikojnë bateritë për lëvizje në thellësi.

Ato janë gjithashtu zakonisht më të shpejta se nëndetëset konvencionale dhe, në shumë raste, më të heshtura. Aktualisht vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe India zotërojnë këtë teknologji.

Imazhet e publikuara të enjten tregojnë se është bërë përparim i konsiderueshëm në ndërtimin e nëndetëses, ekzistenca e së cilës u njoftua për herë të parë në mars.

Media shtetërore tha se mjeti ka një zhvendosje prej 8.700 tonësh, duke e bërë atë të barabartë me shumicën e nëndetëseve sulmuese bërthamore të klasit Virginia në flotën amerikane.

Të enjten, Kim theksoi sërish rëndësinë e këtyre mjeteve për politikën mbrojtëse të Phenianit, e cila, sipas tij, është “fjalë për fjalë… e bazuar në fuqinë më të fortë sulmuese”, sipas një raporti të Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA).

“Ne e konsiderojmë aftësinë super të fuqishme sulmuese si mburojën më të mirë për sigurinë kombëtare në zhvillimin e forcave të armatosura”, citoi KCNA fjalët e Kim-it.

Kim tha se ndërtimi nga Koreja e Jugut i një nëndetëseje me energji bërthamore ishte një veprim që shkelte sigurinë e Koresë së Veriut dhe përbënte një kërcënim që duhej kundërshtuar.

Por vetë Pheniani është përgjegjës për rritjen e tensioneve në Gadishullin Korean, tha Leif-Eric Easley, profesor i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Eëha Ëomans në Seul.

Kim “ndoshta ka të drejtë se një grumbullim i nëndetëseve me energji bërthamore do të rrisë paqëndrueshmërinë rreth Gadishullit Korean, por ai vetë është fajtor për garën e armatimeve,” tha Easley.

“Është Pheniani ai që heq dorë nga diplomacia me Seulin, kërcënon fqinjët e tij me armë bërthamore dhe thellon vuajtjet e popullit të vet duke i kushtuar burime masive diktaturës ushtarake në vend të zhvillimit ekonomik”, shtoi ai.

Kim ka mbikëqyrur një rritje të madhe të kapaciteteve ushtarake të vendit të tij si pjesë e planit pesëvjeçar të shpallur në vitin 2021.

Këto përfshijnë një gamë raketash, përfshirë raketa balistike që mund të arrijnë territorin kontinental të SHBA-së, mjete hipersonike rrëshqitëse që mund të jenë të vështira për t’u mbrojtur, edhe në det, si dhe dy shkatërrues të rinj me raketa të drejtuara.

I dyti prej tyre bëri bujë më herët këtë vit kur u përmbys gjatë hedhjes në ujë. Anija luftarake më pas u rimor dhe duket se u riparua.

Ndërtimi i shkatërruesve dhe i nëndetëseve bërthamore shënonte “një hap të madh përpara në forcimin e aftësive luftarake të flotave tona”, tha Kim gjatë inspektimit të nëndetëses së re, sipas KCNA.

Megjithatë, Easley vëren se flota e Koresë së Veriut mbetet inferiore ndaj asaj të Jugut, e cila zotëron disa nga shkatërruesit më të mirë në botë me raketa të drejtuara dhe nëndetëse të reja me energji konvencionale.

“Kim mund ta kuptojë se ka gabuar në llogaritje sapo të vëzhgojë teknologjinë superiore të Koresë së Jugut”, tha Easley.

Avantazhi i vetëm i Koresë së Veriut mund të jetë marrja më shpejt e nëndetëseve me energji bërthamore.

Koreja e Jugut i ka dëshiruar ato për dekada, por një marrëveshje bërthamore shumëvjeçare me SHBA-në e kishte penguar ta bënte këtë, deri në tetor, kur Presidenti Trump duket se hapi rrugën. Megjithatë, projektimi dhe ndërtimi i tyre mund të zgjasë një dekadë.

“Koreja e Veriut mund të kryejë teste raketore [me nëndetësen] pas hedhjes së saj në ujë brenda dy viteve të ardhshme,” i tha CNN-it Hong Min, studiues i lartë në Institutin Korean për Unifikimin Kombëtar në Seul.

Bazuar në imazhet, Hong analizoi se nëndetësja mund të jetë tashmë e pajisur me një reaktor bërthamor, çka lë vetëm disa faza të tjera përpara se të jetë gati për t’u hedhur në ujë.

Nëndetësja e re nuk ishte i vetmi tregues i së ardhmes së Koresë së Veriut që doli nga imazhet e publikuara të enjten.

Fotografitë e ngjarjes tregojnë se Kim shoqërohej nga vajza e tij, që besohet të jetë Kim Ju Ae, e cila ka bërë disa paraqitje publike së fundmi, duke nxitur spekulime se ai po përgatit një pasardhëse të ardhshme.