Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në Mitrovicë të Veriut.
Këtë e ka konfirmuar për VOX Kosova, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Diku para orës 11.00 në afërsi të stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut janë parkuar disa automjete të FSK-së”, ka thënë ai.
Elshani theksoi se kur pjesëtarëve të FSK-së iu është afruar Policia, ata kanë thënë se “e kanë ngatërruar rrugën”. “Policia i ka përcjell nga ai vend deri te Kërshi i Dudës”, tregoi ai.
Kjo u konfirmua edhe nga FSK-ja më pas.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, thuhet në njoftimin për media.
Shkuarja e FSK-së në Veri të vendit mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it. Ky është një zotim që Qeveria e Kosovës e kishte bërë në vitin 2013 ndaj NATO-s.









