Byroja Federale për Hetime (FBI) ka lëshuar urdhra për të marrë të dhënat e telefonatave të Kash Patel dhe Susie Wiles, gjatë hetimit federal ndaj Donald Trump, ka thënë Patel për Reuters të mërkurën. Patel dhe Wiles ishin qytetarë privatë në vitet 2022–2023, por sot mbajnë postet e drejtorit të FBI-së dhe Shefes së Stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Agjencia e lajmeve Reuters raportoi për veprimet e FBI-së që ndodhën gjatë administratës Biden, kryesisht kur Prokurori i Posaçëm, Jack Smith, i njohur në Kosovë për persekutimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, po hetonte nëse Trump kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020 dhe nëse kishte fshehur dokumente të klasifikuara në Mar-a-Lago, shtëpinë private të Donald Trump.
Patel e paraqiti sekuestrimin e të dhënave të tij telefonike nga FBI-ja dhe përpjekjet për t’i fshehur ato si shembull të tejkalimit të kompetencave nga zyrtarë të pazgjedhur të qeverisë nën Biden, një temë që përsëritet shpesh nga Presidenti Trump.
“Është skandaloze dhe thellësisht shqetësuese që udhëheqja e mëparshme e FBI-së në mënyrë sekrete lëshoi urdhra për të marrë të dhënat e mia telefonike – si dhe ato të Shefes aktuale të Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles – duke përdorur pretekste të dobëta dhe duke e fshehur të gjithë procesin në dosje të ndaluara për të shmangur çdo mbikëqyrje,” tha Patel në një deklaratë për Reuters.
Reuters nuk mundi të verifikojë në mënyrë të pavarur shumë nga detajet e pretendimeve të Patel, përfshirë shtrirjen e plotë dhe kohën e sekuestrimit të të dhënave telefonike dhe arsyen për këtë veprim. Patel tha se të dhënat ishin arkivuar në një mënyrë që e bënte të vështirë për të dhe për drejtues të tjerë të FBI-së t’i gjenin pasi morën drejtimin e agjencisë në shkurt 2025.
Të paktën 10 punonjës aktualë të FBI-së janë shkarkuar si rezultat i zbulimeve për shënjestrimin e Patel, Wiles dhe të tjerëve të lidhur me çështjen e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago, sipas tre zyrtarëve të FBI-së.
Demokratët në Kongres e kanë mbrojtur vazhdimisht Smith-in nga kritikat e mëparshme të republikanëve, duke thënë se ai kishte vepruar në mënyrë të duhur duke kërkuar të dhëna telefonike dhe prova të tjera që, sipas tyre, ishin të nevojshme për të hetuar plotësisht pretendimet për shkelje nga Trump dhe bashkëpunëtorët e tij.
Hetuesit zakonisht lëshojnë urdhra dhe mbledhin të dhëna telefonike gjatë hetimeve, madje edhe për persona të njohur, për të përcaktuar faktet kryesore të një çështjeje dhe se kush mund të jetë i përfshirë.
Patel kishte deklaruar publikisht në vitin 2022 se Trump kishte deklasifikuar dokumentet e marra në Mar-a-Lago, pretendim që prokurorët e kundërshtuan dhe që avokatët e Trump nuk e paraqitën në gjykatë. Patel u thirr para një jurie të madhe atë vit pasi iu dha imunitet i kufizuar nga ndjekja penale.
Reuters nuk ka arritur të përcaktojë në mënyrë të pavarur se cilat të dhëna kishte marrë FBI-ja ose kush i kishte miratuar urdhrat. Gjithashtu, nuk ishte e qartë nëse Patel apo Wiles ishin vetë nën hetim dhe, nëse po, për çfarë arsyeje. Të dy ishin pranë Trump gjatë kësaj periudhe, teksa ai përgatitej dhe më pas nisi fushatën për t’u rikthyer në presidencë në vitin 2024.
Në vitin 2023, FBI regjistroi një telefonatë mes Wiles dhe avokatit të saj, sipas dy zyrtarëve të FBI-së. Avokati ishte në dijeni se telefonata po regjistrohej dhe kishte dhënë pëlqimin, por Susie Wiles jo.
Një gjykatës federal të hënën ndaloi përgjithmonë Departamentin e Drejtësisë nga publikimi i raportit të Smith mbi hetimin e dokumenteve. Smith ka thënë në Kongres se është i ndaluar nga urdhrat gjyqësorë të diskutojë aspekte të hetimit që nuk janë bërë publike më parë në dokumente gjyqësore.
Patel tha se hetuesit përdorën urdhra për të marrë të ashtuquajturat “toll records”, të cilat tregojnë kohën dhe marrësit e telefonatave, por jo përmbajtjen e tyre. Qeveria mund të marrë ligjërisht këto të dhëna përmes një urdhri pa miratim gjyqësor.
Smith kishte ngritur akuza penale kundër Trump në vitin 2023 lidhur me këtë hetim, por çështja u rrëzua nga një gjykatës federal dhe Smith hoqi dorë nga apelimi pasi Trump fitoi zgjedhjet për një mandat të dytë. Trump ka mohuar çdo shkelje lidhur me hetimet e Smith.
Patel tha se nuk e di qëllimin e FBI-së për sekuestrimin e të dhënave telefonike të tij dhe të Wiles. Ai shtoi se të dhënat u gjetën në dosje të kategorizuara si “Të Ndaluara”, çka i bënte të vështira për t’u zbuluar në sistemet kompjuterike të agjencisë. Patel tha se së fundmi ka hequr mundësinë e FBI-së për të kategorizuar dosje si “Të Ndaluara”.
Teknikat hetimore të Smith kanë tërhequr më parë kritika nga liderët republikanë, përfshirë sekuestrimin e të dhënave telefonike të senatorëve amerikanë dhe zyrtarëve të tjerë republikanë gjatë hetimit për përpjekjet e dyshuara për të përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Smith dëshmoi vitin e kaluar se të dhënat e telefonatave të anëtarëve të Kongresit ndihmuan hetuesit të verifikonin kronologjinë e ngjarjeve rreth trazirave të 6 janarit në Kapitol dhe se prokurorët “respektuan të gjitha kërkesat ligjore për marrjen e këtyre të dhënave”. Ai theksoi se të dhënat e marra nuk përfshinin përmbajtjen e bisedave.









