Qeveria e Kosovës nuk ka kryer pagesat për familjet e policëve të rënë në detyrë. Sindikata e Policisë ka bërë me dije se bëhet fjalë për 290 mijë euro të cilat nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.

“Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Policisë.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shton.

Pak ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Qeveria Kurti kishte ndarë nga 100 euro për të moshuarit dhe fëmijët. Ky veprim ishte parë si një masë me prapavijë elektorale, e cila u kritikua nga opozita dhe një pjesë e opinionit publik si përpjekje për të ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin e votuesve.

Sipas Ligjit për Policinë, “Bashkëshorti i/e cili/a përcaktohet që ka qenë e përkrahur nga zyrtari policor dhe fëmijët nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare të zyrtarit policor i cili vdes në kryerje të detyrës kanë të drejtë në pension familjar, por vetëm deri në vlerën 80% tё pagës bruto”.