Administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, mohoi të martën raportimet se Gregory Bovino është shkarkuar nga posti i tij si komandant i përgjithshëm i Patrullës Kufitare të SHBA-së.
“Shefi Gregory Bovino NUK është liruar nga detyra,” tha Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, në platformën amerikane të rrjeteve sociale X. Ajo shtoi se Bovino mbetet “një pjesë kyçe” e ekipit të presidentit Donald Trump dhe e përshkroi atë si “një amerikan i shkëlqyer”.
Të hënën, “the Atlantic” raportoi se Bovino ishte shkarkuar pas të shtënës së fundit fatale ndaj një protestuesi në Minneapolis nga agjentë të Imigracionit dhe Doganave (ICE), duke cituar tre burime anonime të njohura me çështjen.
“Bovino ka qenë fytyra publike e goditjejes ndaj imigracionit në qytete të qeverisura nga demokratët,” shkruante revista, duke shtuar se largimi i tij i supozuar sinjalizonte se administrata mund të ishte duke rishqyrtuar taktikat e saj më agresive.
Më herët të hënën, Trump tha se po dërgonte “carin e kufirit” Tom Homan në Minesota, ndërsa tensionet po përshkallëzoheshin. Shtëpia e Bardhë tha se Homan do të mbikëqyrë operacionet e ICE-it në terren në këtë shtet “për të vazhduar arrestimin e më të rrezikshmëve ndër emigrantët ilegalë kriminalë”.
– Policia ndalon më shumë protestues
Ndërkohë, policia ndaloi protestues që u mblodhën të hënën jashtë një hoteli në Maple Grove, që besohet se po strehonte Bovinon dhe zyrtarë të ICE-it.
Departamenti i Policisë së Maple Grove tha se respekton të drejtën për protestë paqësore, por shtoi se siguria publike mbetet prioriteti kryesor.
Zyrtarët thanë se sapo tubimi u shndërrua në të dhunshëm, personat e përfshirë në veprime kriminale nuk mbroheshin më nga Amendamenti i Parë dhe ishin subjekt arrestimi.
Tensionet janë rritur në Minesota pas vdekjeve të Renee Nicole Macklin Good, nënë e tre fëmijëve, dhe Alex Jeffrey Pretti, infermier në njësinë e kujdesit intensiv, të cilët u vranë në incidente të ndara që përfshinin agjentë të ICE-it në Minneapolis gjatë këtij muaji.
Good u vra më 7 janar pranë një vendi proteste. Më pak se tre javë më vonë, Pretti u qëllua gjatë një proteste tjetër.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se të dy personat përbënin kërcënim për agjentët, një pretendim që kundërshtohet nga politikanë, gazetarë dhe grupe të të drejtave civile, të cilët citojnë pamje video nga vendngjarja.
Vdekjet e njëpasnjëshme kanë nxitur protesta në mbarë Minesotën dhe në pjesë të tjera të SHBA-së, me demonstrues që kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe hetime të pavarura mbi veprimet federale të zbatimit të ligjeve të imigracionit.