Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar gjuhën, siç kanë thënë ata, të papranueshme dhe të rrezikshme të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kundër mediave dhe gazetarëve.

Abdixhiku, të mërkurën, në një intervistë në Klan Kosova, përmendi përsëri fjalën “mercenarë medial”, duke thënë se “shumë lehtë japin një shpifje, papërgjegjësi, vetëm se ju rritet atje llogaria bankare prej sponsorizuesve, kundërshtarëve të ndryshëm”.

Në këtë drejtim, nga AGK-ja, kanë thënë se këto pretendime të Abdixhikut “janë një sulm frontal kundër medias, lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”.

“Një gjuhë e tillë me kualifikime si ‘mercenarë’ është e papërgjegjshme, e papranueshme, shumë e rrezikshme dhe mund të paraqesë problem edhe në cenimin e sigurisë fizike të gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Aty theksohet se është “posaçërisht për keqardhje që këto deklarata të Abdixhikut vijnë në kohën që ai është në opozitë, dhe me përkrahje prej 13 për qind”.

AGK-ja e ka ftuar Abdixhikun të heqë dorë nga këto spekulime dhe nëse ka fakte t’i denoncojë ato në organet përgjegjëse.

“AGK-ja gjithashtu e fton Abdixhikun që bashkë me 14 deputetët e tjerë të partisë së tij në Kuvend, LDK të kontribuojë për një ambient të lirë medial”.