Pas fyerjeve të rënda që ia bëri në seancën e së martës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, ka tentuar që t’i flasë nënkryetares së Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në seancën e së enjtes.

Por, Çitaku nuk i foli dhe e injoroi deputetin që përdori gjuhë seksiste ndaj saj.

Kjo ndodhi, derisa deputeti Geci po hynte në sallën e Kuvendit, ndërsa deputetja Çitaku ishte e ulur në vendin e saj. Ai iu afrua asaj, por komunikimi me të u refuzua nga Çitaku.

Çka ndodhi?

Deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend të martën, i tha PDK-së se “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.

Ndaj kësaj deklarate, reagoi deputetja Çitaku. Nga foltorja e Kuvendit, ajo i tha Gecit se duhet të ndihet i turpëruar për këtë qëndrim.

“S’po di si me të thënë se me të thënë deputet nuk e meriton. Nuk kisha besu kurrë Kryetare e Kuvendit, deputetë të nderuar që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku.

Pasi e kundërshtoi, Geci përdori gjuhë seksiste ndaj Çitakut, duke i thënë “i ke bë 100 vjet, ke mbetë pa martu. Gru e keqe”.