Nebojsa Pavkoviq, ish-gjeneral i Ushtrisë Jugosllave, i dënuar me 22 vjet burg për krime lufte, u varros të mërkurën me nderime ushtarake në “Rrugën e Qytetarëve të Merituar” në Varrezat e Reja të Beogradit, në një ceremoni ku morën pjesë ministra të qeverisë serbe.

Pavkoviq vdiq të hënën në Beograd, një muaj pasi ishte liruar nga burgu në Finlandë për arsye shëndetësore.

Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) e kishte shpallur fajtor në vitin 2009 për pjesëmarrje në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, që kishte për qëllim ndjekjen dhe dëbimin me forcë të shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës. Ai u shpall fajtor edhe për vrasje.

Në vitin 2014, Dhoma e Apelit e ICTY-së konfirmoi vendimin e vitit 2009 që dënonte Pavkoviqin dhe tre zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë e civilë jugosllavë. Pavkoviq u dwnua me 22 vjet burgim.

Në varrim morën pjesë ministri i Kulturës Nikola Selakoviq, ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale Milica Gjurdjeviq Stamenkovski dhe ministri i Mbrojtjes Bratisllav Gashiç. I pranishëm ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsilloviq, si dhe ish-ministrat Aleksandar Vulin dhe Danica Grujiçiç.

Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd tha të mërkurën se varrimi i Pavkoviqit në këtë pjesë të dalluar të varrezave “përfaqëson një mohim të hapur të fakteve të konstatuara nga gjykata dhe një tallje me viktimat”.

“Duke i dhënë nderime shtetërore një të dënuari për krime lufte, së bashku me imazhin e rremë të ‘nderit, guximit dhe shërbimit ndaj atdheut’, qeveria po e rrit presionin mbi shoqërinë e robëruar në Serbi, veçanërisht mbi të rinjtë, që të ngrihen në mbrojtje të ‘heronjve që mbrojtën popullin serb’, të cilët gjoja janë dënuar padrejtësisht,” tha Qendra në një komunikatë për media.

Deputeti opozitar Dobrica Veselinoviq gjithashtu e kritikoi vendimin.

“Si shoqëri, duhet të ndalojmë së ecuri në rrugë të gabuara me politikanë që na kanë përçarë me gjithë botën disa herë, kanë luftuar me fqinjët tanë dhe kanë çuar mijëra njerëz drejt vdekjes. Varrimi në këtë ale send një mesazh të gabuar dhe të rrezikshëm!” shkroi Veselinoviq në X.

Në një tjetër ceremoni përkujtimore për Pavkoviqin, të mbajtur më herët të mërkurën në Klubin Qendror Ushtarak në Beograd, morën pjesë gjithashtu Selakoviq, Gashiç dhe Mojsilloviq, së bashku me të ashtuquajturin shefin e Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Gjatë kohës në burg, Pavkoviq shkroi libra që u botuan nga Ministria Serbe e Mbrojtjes. Ai mori pjesë online në disa emisione televizive dhe në YouTube në Serbi. Mediat proqeveritare dhe të djathta ekstreme serbe e shpallën atë hero pas vdekjes.