“Ajo që është prezantuar në ekspozitën [për masakrat në Kosovë], nuk është vetëm gabim. Është deklarim i qëllimshëm i [shërbimit sekret serb] UDB-së së asaj kohe”, ka thënë Nait Hasani, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në fjalën e tij në Kuvend.
Këto komente, Hasani i bëri pasi që u konstatuan se në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashin, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, kishte pasaktësi të mëdha për masakrat.
“Kjo është fyerje për viktimat. Është fyerje për të burgosurit dhe të mbijetuarit. Është fyerje për të vërtetën e masakrës në burgun e Dubravës”, tha Hasani, i cili është i mbijetuar i Masakrës së Dubravës.
Gashi si autor i ekspozitës, Hasani thekson se nuk ka treguar të vërtetën. “Ai ka prezantuar sot pas 27 viteve, masakrën në burgun e Dubravës, në sheshin e Prishtinës propagandën e aparatit kriminal serb mbi masakrën e burgut të Dubravës”.
Kjo ekspozitë, ai vlerëson se “është me pasoja të rënda politike për Kosovën dhe për krimet serbe të bëra në Kosovë”.
“Kërkim-falja e Shkëlzenit nuk i riparon dëmin e shkaktuar për shtetit tonë dhe për të vërtetën në masakrën në burgun e Dubravës”, potencoi ai ndër të tjera.








