Komiteti i Rajoneve të Bashkimit Evropian ka hequr asteriskin (fusnotën) për emërtimin e Kosovës në dokumentet e tij.
Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, të cilët kanë theksuar se ky komitet ka kërkuar edhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar AKK se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht ‘Kosovë’”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, “duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin ‘Kosovë’ pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare”.
Njoftimi i plotë:
Komiteti i Rajoneve heq asteriksin për emërtimin e Kosovës në dokumentet e tij dhe kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës
Komiteti i Rajoneve i Bashkimit Evropian (CoR), ka informuar AKK se në opinionin e tij më të fundit mbi Paketën e Zgjerimit të BE-së 2025 për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, ka vendosur që në dokumentet dhe komunikimet e tij publike të ndërpritet përdorimi i emërtimit “Kosovë” me asteriks*, dhe të përdoret thjesht “Kosovë”.
Ky vendim vlen për dokumentet dhe komunikimet e Komitetit të Rajoneve, duke e harmonizuar këtë institucion me qëndrimin e kahershëm të Parlamentit Evropian, i cili tashmë përdor emërtimin “Kosovë” pa asteriks në dokumentet e tij zyrtare.
Në të njëjtin opinion, Komiteti i Rajoneve gjithashtu ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se këto masa kanë ndikuar drejtpërdrejt në komunat dhe qytetarët e Kosovës.
Ky paraqet një zhvillim shumë të rëndësishëm politik dhe institucional për Kosovën në nivel evropian.
Komiteti i Rajoneve vlerëson gjithashtu organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në Kosovë në vitin 2025, duke theksuar se pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve ka forcuar legjitimitetin e institucioneve komunale dhe funksionimin e demokracisë lokale.
Në opinion theksohet se, me rikthimin e pjesëmarrjes demokratike në nivel lokal, arsyet fillestare për vendosjen e masave të BE-së ndaj Kosovës nuk qëndrojnë më, dhe për këtë arsye Komisioni Evropian ftohet që t’i heqë ato sa më parë.
Roli i Asociacionit të Komunave të Kosovës
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka luajtur një rol aktiv në promovimin e rolit të pushtetit lokal në proceset evropiane dhe në ngritjen e çështjeve që lidhen me komunat e Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian.
Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me Komitetin e Rajoneve të BE-së, rrjetet evropiane të qeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë, AKK ka kontribuar në:
• promovimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës;
• informimin e partnerëve evropianë për ndikimin që masat e BE-së kanë pasur në komunat dhe qytetarët e Kosovës;
• forcimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave të Kosovës dhe institucioneve evropiane.
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.
Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, e ka vlerësuar këtë zhvillim si një lajm shumë të rëndësishëm për Kosovën.
“Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën dhe për komunat tona. Është shumë inkurajuese që institucionet evropiane po e njohin rolin e pushtetit lokal dhe ndikimin që vendimet e tyre kanë në jetën e qytetarëve në nivel lokal. Po ashtu, rekomandimi për përdorimin e emrit ‘Kosovë’ pa asteriks është një zhvillim shumë i rëndësishëm në trajtimin institucional të Kosovës në nivel evropian.”
Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive për forcimin e rolit të komunave në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe për përfaqësimin e interesave të pushtetit lokal në institucionet evropiane.









