Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka lëshuar një thirrje për mërgimtarët në Londër për një tubim që planifikon ta mbajë atje. Ndonëse Kosova nuk është në proces zgjedhor e as në fushatë dhe ndonëse tanimë Pacolli ka rol të rëndësishëm në Qeveri, ajo me diasporën në Londër planifikon të diskutojë “për zhvillimet politike në Kosovë”. Madje, nuk ka njoftuar për asnjë takim zyrtar që do ta mbajë atje. Pacolli s’ka treguar nëse ky udhëtim i saj atje do të financohet nga shteti si ministre, apo nga partia si aktiviste.
“Kam kënaqësinë t’ju ftoj në një takim miqësor për bashkëbisedim në lidhje me zhvillimet politike në Kosovë dhe prirotetet tona në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka shkruar mes tjerash Pacolli në postimin e saj.

Fitore Pacolli, ish-deputete e Vetëvendosjes, në Qeverinë Kurti 3 mori pozitën e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Së fundmi ajo është intervistuar nga Prokuroria Speciale në lidhje me çështjen e dyshimeve për keqpërdorimeve në ndarjen e granteve në bujqësi. Në nëntor të vitit 2024, ishte kuptuar se Ministria e Bujqësisë nën drejtimin e Faton Pecit u kishte dhënë grante dajës dhe vëllaut të Fitore Pacollit, e cila në atë kohë mbante pozitën e Kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
VOX Kosova kishte raportuar gjithashtu se para nga shteti, gjithësej 52 mijë euro, kishte marrë edhe bashkëshorti i Pacollit përgjatë kohës sa Vetëvendosje ishte në pushtet.









