Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, në ditën kur po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, është duke i vizituar disa prej komunave ku partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, është duke garuar në balotazh.

Fillimisht, Kurti ka vizituar Fushë Kosovën, ku Valon Prebreza i VV-së po përballet me Besnik Osmanin e LDK-së.

Më pas është ndalur në Vushtrri, ku ka ecur sheshit të këtij qyteti dhe ka pirë kafe në njërën nga kafiteritë e kësaj komune me kandidatin e VV-së, Sylejman Meholli, i cili përballet në balotazh me Ferit Idrizin e PDK-së.

Pika tjetër e ndalesës për Kurtin ka qenë Mitrovica, aty ku ka qëndruar mbrëmë deri në orët e vona. Por, aty nuk ka shkuar çdo gjë sipas planit, pasi që lokali ku ai kishte planifikuar për të shkuar, në lagjen Tavnik, është mbyllur.

Pronari i kësaj kafiterie, Arizon Haziri, ka thënë se e ka mbyllur lokalin për shkaqe sigurie.

“Për shkak të telasheve të vazhdueshme nga të dy palët, kemi vendosur ta mbyllim kafiterinë, pasi është rrezikuar siguria e qytetarëve dhe e imja personale. Provokimet do t’i lëmë anash, sepse siguria është prioritet. Besoj që secili duhet të jetë, qoftë për një moment, nën lëkurën time vetëm atëherë do ta kuptonte çfarë po kaloj”, shkroi Haziri në Facebook.

Përveç këtyre komunave, ende nuk dihet nëse Kurti do ta vizitojë edhe ndonjë qytet tjetër ku partia e tij është balotazh.