Kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger kanë mbërritur të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për përdorimin e të cilëve tashmë janë trajnuar dhjetëra ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje nga arritja e këtyre dronëve.
“Kontrata është nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me Kompaninë e mirënjohur turke Baykar, që është kompani amë e prodhuesit Skydager. Dronët Skydagger ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët”, shkroi Kurti.
Këta dronë kamikaz të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, “të prokuruar nga ne janë dronë luftarak të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”.
Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas TB2 Bayraktar dhe fluturakeve Puma, kryeministri theksoi se “po vazhdojmë të ngrisim dhe shtojmë fuqinë goditëse të ushtrisë sonë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore”.
“Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8×8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”.









