Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën që do të mbahet të dielën, më 14 shtator, në Hagë të Holandës, e organizuar nga mërgata shqiptare kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Qëndroj fuqishëm krah kësaj proteste dhe përpjekjes së drejtë për t’i thënë botës se lufta jonë ka qenë çlirimtare dhe e drejtë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, njoftoi se strukturat e partisë në mërgatë do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duke iu bashkuar thirrjes së mërgatës shqiptare.
Protesta është mbështetur gjithashtu nga Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e UÇK-së (OVL-UÇK) dhe vjen pas një tubimi të madh në Prishtinë më 7 gusht, ku dhjetëra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dolën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër Gjykatës Speciale.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









