Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët mbajnë funksione të dyfishta, edhe atë të ministrit dhe atë të deputetit.

Lajmi është bërë i ditur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media të mërkurën. Ai tha se duhet intervenimi i Prokurorisë për të mundësuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

“Moszbatimi i vendimeve gjyqësore i gjykatave të rregullta të Kosovës është vepër penale dhe moszbatimi i vendimit të Gjykatës Supreme në rastin e Hekuran Muratit dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, përbënë vepër të pastër penale dhe kërkohet reagimi i shtetit”, deklaroi Gruda.

Ai pohoi se Qeveria, duke mbajtur funksione të paligjshme, ka shpërndarë mijëra euro dhe kjo situatë, sipas tij, nuk mund të vazhdojë.

“Siç dihet ne nuk e kemi të paraparë si vepër penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por të gjykatave të rregullta siç është Gjykata Supreme. Po ashtu në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse duke mbajtë funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro në disa vendime që janë marrë nga Qeveria e Kosovës dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë”, tha Gruda.

Kallëzim penal ndaj Qeverisë në detyrë në detyrë ka dorëzuar të mërkurën edhe Aleanca, lidhur me disa vendime që ekzekutivi i drejtuar nga Albin Kurti ka marrë më 12 gusht për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, të cilët vlerësojnë se janë në kundërshtim me ligjin.