Luka Misetiç, avokat i Hashim Thaçit, i ka thënë Prokurorisë së Gjykatës Speciale se kanë “dështuar” dhe se kanë bërë “mëkatin e drejtësisë duke premtuar shumë e dorëzuar pak”. Ai theksoi se ZPS-ja premtoi “fishekzjarre”, por thekson se sollën “dështim”.
“Pasi nuk ishte në gjendje të kundërshtonte këto argumente themelore të mbrojtjes, ZPS-ja e përmbylli replikën e saj të hënën duke pretenduar se është mbrojtja ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj dhe nuk dëshiron që ju të jeni gjyqtarë. Përkundrazi, mbrojtja e di se ju do ta bëni punën tuaj dhe se do ta njihni konsensusin e provave që ju kemi përshkruar”, tha Misetiç gjatë fjalëve përfundimtarëve të palëve në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas avokatit kroat, “është prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj”. “Ata duan që ju të bëni punën e tyre. Ata duan që ju të shihni nëse mund të ndërtoni një çështje që ata vetë nuk arritën ta ndërtojnë”, shtoi.
“Por, siç e theksova të hënën, trupi gjykues në çështjen Mustafa ishte i qartë. Barra e provës i takon ZPS-së dhe vetëm ZPS-së, dhe ata kanë dështuar. Mentori im më mësoi shumë kohë më parë se mëkati kryesor i avokatisë gjyqësore është të premtohet shumë dhe të dorëzohet pak. Dhe ZPS-ja e ka kryer këtë mëkat kryesor gjatë gjithë këtij gjyqi. Ata premtuan fishekzjarre, por sollën dështim”.









