Një zyrtar i teknologjisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Peter Kun Szabo, po kërkon punë të re. Ai ka deklaruar se Dhomat e Specializuara të Kosovës po i afrohen fundit të tyre.

Në një postim në LinkedIn, ai ka thënë se është i interesuar për përvoja të reja profesionale.

“Pas disa vitesh duke udhëhequr programe të sigurisë së informacionit në organizata ndërkombëtare, po filloj të eksploroj mundësi të reja profesionale tani që Dhomat e Specializuara të Kosovës po i afrohen përfundimit të mandatit të tyre,” ka shkruar ai.

“Fokusi im mbetet te siguria e informacionit dhe menaxhimi i sigurisë kibernetike, qeverisja dhe menaxhimi i rrezikut — idealisht brenda organizatave ndërkombëtare ose atyre me mision të caktuar në Vjenë. Mos hezitoni të kontaktoni ose të ndani mundësi ku përvoja ime në udhëheqjen e sigurisë së informacionit dhe asaj kibernetike, menaxhimin e rrezikut dhe zhvillimin e politikave mund të sjellë vlerë të shtuar,” ka shtuar ai.

Szabo, siç shkruan në CV-në e tij në LinkedIn ka shërbyer në Gjykatën Speciale si Zyrtar i Sigurisë së Informacionit. Në këtë rol, ai ishte përgjegjës për zhvillimin dhe menaxhimin e Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (ISMS), për sigurimin e përputhshmërisë me standardet ISO 27000, si dhe për koordinimin e iniciativave të sigurisë kibernetike në të gjithë organizatën.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan në vitin 2015.

Zyrtarisht, ende nuk ka një njoftim se kur kjo gjykatë do të pushojë së funksionuari.

Aktualisht, procesi kundër krerëve të UÇK-së është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve të mbrojtjes së Hashim Thaçit. Kjo pritet të zgjasë deri në fund të nëntorit, ndërsa më pas, nga dhjetori ose janari, do të jepen fjalët përfundimtare. Më pas, Paneli i Gjyqtarëve do të marrë vendimin.

Në proces është edhe një rast tjetër që lidhet me administrimin e drejtësisë, ku akuzohen Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Hajredin Kuqi dhe Isni Kilaj.