Sipas John Bolton, ish-Këshilltarit për Siguri të Presidentit amerikan, Donald Trump, Gjykata Speciale “duhet të shpërbëhet”. Në një intervistë për A2 CNN, Bolton thotë se nëse Kosova është e pakënaqur, duhet të flasë “dhe ta thotë që ka arritur kufijtë e tolerimit”.
“Sigurisht(përgjigja nëse Specialja duhet të shpërbëhet). Ka qenë një kohë e gjatë që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe të mendosh në një pikë që mund ta quash këtë një fund, sinqerisht s’jam i sigurt që vendet që e kanë krijuar këtë gjykatë… Nëse dikush është i pakënaqur, nëse Kosova është e pakënaqur, duhet të flasin dhe ta thonë që kemi arritur kufijtë e tolerimit. I ka tejkaluar kufijtë e asaj që mendonim dhe kishim rënë dakord”, thotë Bolton.
I pyetur nëse Haga po krijon precedent të rrezikshëm për të gjitha lëvizjet çlirimtare në botë, Bolton tha se “është e mundur, por njerëzit e kanë humbur interesin te trupi gjykues dhe ideja që vendet që e kanë ngritur trupin gjykues, do ta mbikëqyrin, kjo është zhdukur dhe për mua kjo shkon te paligjshmëria e këtij institucioni”.
Siç thotë ai, mungesa e mbikëqyrjes “mund të çojë drejt rrethanave ku këto Trupa Gjykuese humbasin rrugët dhe shkojnë në drejtime që askush s’kishte menduar”.
Sipas Bolton, edhe Kosova edhe Serbia, në zgjidhjen më të mirë siç thotë ai, do të duhej të gjykonin vetë ish-liderët e tyre.
“Pikëpamja ime është që këto gjyqe kanë patur një element të rëndë politik dhe nuk është një pyetje abstrakte për të kërkuar drejtësi, për çdo kënd që është i përfshirë në konflikt. Pikëpamja ime për një kohë të gjatë ka qenë është që nëse e merr këtë si shembull, që ilaçi më i mirë për ato lloj sjellje nga ish-drejtuesit, në rastin e Serbisë, është që të bëjnë ata vendimin për të hetuar dhe dënuar ish-liderët e tyre”.
“…dhe nuk reflektojnë çfarë Amerika beson për një kohë të gjatë, që e vetmja mënyrë korrekte, e duhur, për të bërë drejtësi, është nëpërmjet një sistemi të drejtësisë nga shtetet e pavarura si për sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorin. Mendoj që kjo gjykatë është e paligjshme dhe shembujt që po jepni demonstron që trupi, prokuroria, kanë bërë gabimet e tyre”, ka thënë Bolton.









