Këtë të mërkurë të 08 korrikut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një përgjigje me shkrim.
“Ju njoftoj se të mërkurën (8 korrik 2026, ora 11:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, tha Elezi.
Mbledhja e KQZ-së për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve vjen pasi që Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuara të pesë (5) ankesat ndaj rezultateve përfundimtare.
Kështu i hapet rruga edhe krijimit të institucioneve të reja, duke filluar nga konstituimi i Kuvendit.
Sipas rezultateve përfundimtare, në zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje doli e para me 47.13 për qind të votave, apo 382 mijë e 869 vota. Ky rezultat ia ka siguruar partisë së Albin Kurtit 53 deputetë.
E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 19.44 për qind, apo 157 mijë e 892 vota. PDK ka marrë 22 deputetë.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69 për qind, apo 135 mijë e 567 vota. LDK, në legjislaturën e 11-të, do të ketë 18 ulëse Kuvendi.
E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.74 për qind, apo 54 mijë e 729 vota. AAK ka siguruar 7 mandate deputetësh.









