Një multimilioner, i cili e ka bërë mision të jetës së tij mposhtjen e vdekjes, është diagnostikuar me një sëmundje autoimune të pashërueshme.
Bryan Johnson, i vetëshpallur si “biohaker”, i cili në përpjekjen e tij për të ruajtur rininë e përjetshme përdori edhe transfuzione gjaku nga djali i tij adoleshent, ka bërë të ditur se vuan nga një sëmundje e njohur si gastriti autoimun (AIG).
“Stomaku im po e ha vetveten”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Johnson tha se shpreson ta “zgjidhë” këtë sëmundje, e cila shfaqet kur sistemi imunitar i organizmit sulmon qelizat e shëndetshme të mukozës së stomakut, por pranoi se ajo është e pashërueshme.
Simptomat përfshijnë aneminë, e shkaktuar nga mungesa e vitaminës B12, si dhe një rrezik të shtuar për zhvillimin e kancerit në indet e inflamuara.
Johnson tha se ishte diagnostikuar me këtë gjendje në muajin maj. Edhe pse nuk e di saktësisht se kur është zhvilluar, ai beson se sëmundja është shfaqur diku mes fëmijërisë – kur ushqehej me drithëra të mbushura me sheqer dhe ushqim të shpejtë – dhe periudhës pas të njëzetave, kur, sipas tij, e la pas dore shëndetin dhe shtoi në peshë.
“AIG shkakton dëme të pakthyeshme: mungesa ushqyese, anemi dhe, në planin afatgjatë, rrit rrezikun për kancer”, shkroi manjati i Silicon Valley në rrjetet sociale.
“Kur AIG diagnostikohet sot, kujdesi standard mjekësor në thelb pranon humbjen, duke thënë se nuk mund të bëhet asgjë përveç menaxhimit të gjendjes, pavarësisht sa të rënda apo vdekjeprurëse mund të jenë pasojat.”
48-vjeçari tha më vonë se po i nënshtrohej analizave të gjakut për të deshifruar “një milion qeliza imunitare” dhe për të zbuluar se cilat prej tyre po sulmonin mukozën e stomakut.
Pasi të identifikohen, ai tha:
“Do ta dimë se cilën rrugë terapeutike duhet të ndjekim për t’i çaktivizuar ato.”
Johnson e shiti kompaninë e tij të përpunimit të pagesave për 800 milionë dollarë (rreth 597 milionë paund) në vitin 2013 dhe që atëherë e ka përdorur këtë pasuri në përpjekjet për të ndalur plakjen.
Thuhet se ai punëson një ekip ekspertësh mjekësorë, detyra e të cilëve është të monitorojnë gjendjen e gjakut dhe organeve të tij, me një kosto prej rreth 2 milionë dollarësh në vit (1.5 milionë paund), duke e shndërruar veten në një “kavie njerëzore” për të realizuar filozofinë e tij “mos vdis”.
Milioneri ka pretenduar se ka zemrën e një 37-vjeçari, lëkurën e një 28-vjeçari, kapacitetin pulmonar të një 18-vjeçari dhe mishrat e dhëmbëve të një 17-vjeçari.
Ai ka deklaruar gjithashtu se:
- mban çdo natë për dy orë syze speciale që filtrojnë dritën blu;
- zgjohet në orën 05:00 të mëngjesit për të kryer një stërvitje njëorëshe me 25 ushtrime;
- konsumon dhjetëra suplemente;
- dhe shpëlan dhëmbët me vaj të pemës së çajit (tea tree oil).
Në vitin 2023, ai përdori transfuzione gjaku nga djali i tij adoleshent, Talmage, në përpjekje për të rikthyer dëmtimet qelizore, megjithëse më vonë pranoi se eksperimenti nuk kishte dhënë rezultat.
Megjithatë, jo çdo përpjekje e tij ka qenë e suksesshme. Në nëntor të vitit 2024, për të zbutur pamjen e dobësuar të shkaktuar nga dieta e tij strikte prej 1,977 kalorish në ditë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje për injektimin e yndyrës në fytyrë.
Procedura shkaktoi një reaksion të rëndë alergjik.
Më vonë, ai pranoi se eksperimenti i quajtur “Project Baby Face”, i cili i shkaktoi ënjtje të madhe në fytyrë dhe pothuajse e verboi përkohësisht, kishte qenë një dështim.









