Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën fillore “Meto Bajraktari”, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin zgjedhor.

Pas votimit, Haxhiu theksoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është një tregues i forcës së demokracisë dhe kontribuon në rritjen e legjitimitetit të institucioneve të vendit.

Ajo ftoi qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, duke theksuar rëndësinë e angazhimit në vendimmarrjen demokratike.

“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, deklaroi Haxhiu.

Ushtruesja e detyrës së presidentes u bëri thirrje gjithashtu subjekteve politike dhe qytetarëve që dita e zgjedhjeve të kalojë në frymë respekti, tolerance dhe përgjegjësie.

Ajo falënderoi institucionet përgjegjëse dhe mediat për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke uruar që dita të përmbyllet me sukses dhe në interes të vendit.