Kur në një bazë të KFOR-it, para disa javësh, po bëhej ndërrimi i Komandës, Presidentja Vjosa Osmani i foli krejt ftohtë Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha.
Ajo ia zgjati dorën pa u çuar fare nga karrigia e saj, ndërsa Basha qëndronte në këmbë, në pritje të një vendi për t’u ulur. Gjatë kohës që ai qëndronte aty, Osmani e injoronte dhe bisedonte me një këshilltare të saj.
Por gjërat duket se kanë ndryshuar pak për të mirë për Bashën.
Osmani, me gjasë pas kritikave të mëdha publike për këtë sjellje të saj, po e afron më shumë Kryetarin e Kuvendit.
Dimal Basha u pa krah Presidentes në Darkën e Lamës, që e para e shtetit e organizoi mbrëmë në Prishtinë.

Të dy u panë bashkë edhe të hënën, në një aktivitet vetëdijesimi në Prishtinë për kancerin e gjirit.

Dimal Basha, që u zgjodh Kryetar i Kuvendit me mbështetjen e PDK-së, nuk ishte pritur mirë as në partinë e tij, Vetëvendosje.
Ditën që u zgjodh, kreu i saj, Albin Kurti, nuk e kishte përshëndetur në sallë dhe as nuk kishte publikuar ndonjë urim. Po ashtu kishin vepruar edhe zyrtarë të tjerë të VV-së, si Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu.

Pas zgjedhjes së tij, në opinion doli një shkrim akademik i vitit 2012, në të cilin ai, bashkë me një autore maqedonase, pohonte se “Ushtria Çlirimtare e Kosovës financohej nga paratë e drogës”.
Basha fillimisht e mohoi se e kishte shkruar ai atë pjesë, më pas kërkoi falje dhe nga revista ku ishte publikuar artikulli kërkoi që ajo pjesë të hiqej.
Qëndrimin e Bashës e kishin mbrojtur publikisht edhe Vjosa Osmani dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij./VOXKosova