Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Kryetari i ri i saj, Ardian Gjini, dëshirojnë që Qeveria e ardhshme të krijohet nga ish-opozita – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Këto komente, Gjini i bëri të martën në një intervistë në Rubikon që transmetohet në Klan Kosova, e para pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Ai theksoi partitë që kanë qenë në opozitë duhet të tentojnë që ta ndalojnë Lëvizjen Vetëvendosje të mos e bllokojë më shtetin.

Në një version tjetër, sipas Gjinit, Kosova do ta pësonte keq.

Ne besojmë që opozita duhet me kriju Qeverinë edhe ne do të insistojmë që një gjë e tillë të ndodh.

“Nëse edhe 10 kosovarë janë që mendojnë sikur ky mua më dhemb zemra, qysh s’janë t’u e kuptu që këto veprimet janë kundër Kosovës, kundër qytetarëve të këtij vendi. Kundër shqiptarëve dhe të tjerëve”, tha Gjini, derisa komentoi qëndrimin e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për t’i thënë jo gazit amerikan.

“I ftoj dy partitë e tjera me u bë bashkë, e di që kam me qenë partneri më i vogël. Kam të drejtë të plotë legjitime me i ftu me u bë bashkë me ndërtu një qeveri të opozitës, për shkak se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë, Kosova ka me pësu shumë keq”, deklaroi Gjini ndër të tjera.

Kur janë numëruar 100 për qind e votave – pa përfshirë ato me kusht dhe të diasporës – Lëvizja Vetëvendosje është renditur partia e parë me 42.91 për qind të votave.

E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind. E treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind, ndërsa e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.16 për qind.