Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se janë të vetëdijshëm për rreziqet lidhur me dërgimin e Forcës së Sigurisë në Gaza, por thekson se po bëjnë gjithçka për t’i zbutur këto rreziqe.
“Normalisht, ne jemi të vetëdijshëm për rreziqet me të cilat mund të ballafaqohet kontingjenti ynë, por po bëjmë gjithçka të mundur për t’i zbutur këto rreziqe, për të krijuar kushte logjistike, në mënyrë që kontingjenti i FSK-së në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese të arrijë të performojë në mënyrë profesionale dhe të ofrojë mbështetje për Gazën”, deklaroi ai për Radio Evropa e Lirë.
Shkuarjen e FSK-së në Gaza e ka konsideruar si një momente kthese për Kosovën.
“Është hera e parë që Kosova është pjesë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja. Kjo tregon edhe besimin që kanë partnerët tanë në kapacitetet tona ushtarake, për të ofruar mbështetje në një zonë me ndjeshmëri të lartë, siç është Lindja e Mesme”, shtoi ai.
Maqedonci potencoi se që nga fundi i vitit të kaluar, Kosova ka qenë pjesë e përgatitjeve për krijimin e një force ndërkombëtare stabilizuese, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Pra, shkuarja e ekipit tonë në Gazë është në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti me komandën e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila do ta drejtojë gjithë operacionin në Lindjen e Mesme”, tha ministri.
Ai tregoi se kontingjenti i parë kosovar do të përbëhet nga 22 pjesëtarë, të cilët, sipas tij, do t’i nënshtrohen rotacionit deri në fund të vitit 2027.
Shkuarja e FSK-së ne Gaza vjen si rrjedhojë e angazhimeve që Kosova ka marrë nga Bordi i Paqes.
Vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza, i propozuar nga Qeveria, Kuvendi e kishte miratuar më 17 prill, me 89 vota për.









