Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës , Bedri Hamza, ka bërë të ditur në Kuvendin e Kosovës se është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, para dy ditësh.
Hamza ka thënë se e falënderon Kurtin për takimin, ndërsa ka bërë të ditur se pas diskutimeve të tyre, të mërkurën është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë shtetërore për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fazën e apelit.
“Unë dhe Kurti jemi takuar përsëri para dy ditësh, për çka e falënderoj. Si rrjedhojë e diskutimeve, dje është miratuar themelimi i grupit punues për strategjinë shtetërore për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fazën e apelit”, ka deklaruar Hamza.
Ai e ka cilësuar këtë si një hap të mirë, por ka theksuar se tash duhet të kalohet nga vendimet në veprime.
“Ky është një hap i mirë, por tani duhet të kalojmë nga vendimet te veprimet”, ka thënë Hamza në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka kërkuar që për ish-krerët e UÇK-së të rriten fondet fillimisht.









