Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, e ka uruar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

“Uroj fituesin e zgjedhjeve z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, shkroi Berisha në Facebook.

Këto zgjedhje, ai theksoi se janë një “sukses frymëzues për Shqipërinë”. Ato, për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës, siç konsideron ai, ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj.

“Shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale”, tha ai ndër të tjera.

Ish-Kryeministri i Shqipërisë ka uruar përzemërsisht edhe qytetarët e Kosovës, autoritetet e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor “për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre”.