Një tjetër lëvizje ka ardhur nga Bashkimi Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Në fillim të muajit janar, Kosova, me heqjen e këtyre bllokadave nga BE-ja, do të përfitojë miliona euro që ishin të parapara të ndaheshin qysh më herët.
Por tash, me transferimin demokratik të pushtetit lokal në veri, BE-ja ka ndërruar kursin ndaj Kosovës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ky vendim vjen pas kalimit të pushtetit lokal në mënyrë paqësore në veri.
“Falë kësaj, më vjen mirë të njoftoj se ne do të lëvizim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës. Ne do të programojmë 216 milionë euro asistencë financiare dhe synojmë që të lëshojmë 205 milionë euro në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar ajo në rrjetin X.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosovës do t’i hiqen masat ndëshkuese.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen: një pjesë shumë e madhe menjëherë dhe një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Pak ditë më parë, BE-ja kishte hequr gjysmën e masave.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, përshëndeti heqjen e masave, duke thënë se qytetarët nuk duhet të vuajnë nga gabimet e qeverisë.
“Fillimi i heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës është një lajm i mirë dhe një vendim i drejtë. Qytetarët tanë nuk duhet të ndëshkohen për gabimet e kësaj qeverie. I falënderoj partnerët evropianë për mbajtjen e premtimit. Tani duhet të hapet një kapitull i ri me BE-në, i bazuar në reforma, integrim evropian dhe zhvillim ekonomik. Bashkë me aleatët, Kosova do të ecë përpara!”, ka shkruar ai.









