Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se pasi që Partia Demokratike e Kosovës nuk arriti që të fitojë zgjedhjet në Mitrovicë, duan që ta marrin rezultatin në tavolinë.
“Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë”, shkroi Haxhiu në Facebook, pasi që Prokuroria ka ndërprerë numrin e votave në Mitrovicë për shkak të dyshimeve për manipulim dhe keqpërdorim të fletëvotimeve.
Ajo tha se “vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të”.
Por, sipas saj, vorbulla “u kthye në bumerang”. “Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor”, shtoi.
“Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë”, shtoi.
Por, ajo vlerëson se Mitrovica “ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë”.









