“Jam në atë moment të terrorit të pastër”, thotë Christopher Nolan, ulur në një suitë të hotelit Corinthia në Londër, me një kostum paksa të rrudhur, pranë një çajniku. Jashtë, turma shtyhen duke shpresuar të kapin një vështrim të njërit prej yjeve që ndodhen brenda – Matt Damon, Tom Holland, Lupita Nyong’o. Është dita para premierës botërore të filmit më të ri të Nolan, një adaptim i poemës epike të Homerit, The Odyssey, dhe dita e fundit e pritjes përpara se publiku të vendosë nëse basti më i madh i karrierës së Nolan ka rezultuar i suksesshëm. Filmi, që sipas raportimeve kushtoi 250 milionë dollarë, nuk ka nevojë vetëm që publiku të vijë. Ai ka nevojë që e gjithë bota e kinemasë ta bëjë këtë.

“Nuk bëhet kurrë më e lehtë, sepse unë bëj filma për publikun dhe publiku më tregon se çfarë i pëlqen”, thotë ai.

“Ata e përfundojnë filmin. Unë nuk kam asgjë pas së cilës të fshihem. Nuk mund të them thjesht: ‘Ah, njerëzit nuk e kuptojnë’. Nuk janë ata lloj filmash që bëj unë. Çfarë mendon publiku për të? A vijnë ata? A u pëlqen nëse vijnë? Dhe, meqë ra fjala, nuk besoj se do ta bëja siç duhet punën time nëse nuk do të isha i tmerruar sa herë që nxjerr një film, sepse po përpiqesh të sfidosh veten, po përpiqesh të marrësh rreziqe”.

Ai nuk duket i tmerruar. Duket po aq i qetë dhe i lumtur sa e kam parë gjatë 20 vjetëve të fundit. E kam intervistuar Nolan shumë herë dhe ai është një i intervistuar famshëm i kujdesshëm, megjithëse gjithmonë i sjellshëm, i cili e ka përsosur artin e të folurit për filmat e tij duke zbuluar pothuajse asgjë për veten – “regjisori më i arritshëm dhe njëkohësisht më i tërhequr në Amerikë”, siç e përshkroi dikur veten para meje. Intervistimi i tij ndonjëherë të jep ndjesinë sikur po përpiqesh të marrësh informacione nga spiuni kryesor i John le Carré, George Smiley.

Por, cilado qoftë arsyeja – shtatë Oscarët për Oppenheimer, lodhja e lumtur pas përfundimit të The Odyssey, i xhiruar gjatë gjashtë muajve në po aq vende – diçka duket se është zbutur te Nolan. Ndoshta është qeni i ri, një labrador ngjyrë çokollatë me emrin Charlie, të cilin Nolan dhe gruaja e tij, Emma Thomas, e morën pasi edhe i fundit nga katër fëmijët e tyre u largua nga shtëpia.

“Ata tani janë të gjithë nëpër botë”, thotë ai.

“Ne kemi një qen dhe pastaj vendosa të bëj The Odyssey, sepse është filmi përfundimtar me qen. Nuk pata kurrë një qen kur isha fëmijë dhe nuk morëm një qen kur fëmijët ishin më të vegjël, sepse udhëtonim shumë. Ata janë pak të mërzitur që morëm një sapo u larguan nga shtëpia, megjithëse e duan shumë qenin. Dhe pastaj, kur vjen puna te The Odyssey, nuk po bëj shaka, por ai është vërtet një pjesë shumë e rëndësishme e asaj historie”.

Kur Odiseu më në fund kthehet në Itakë, pas 20 vjetësh, ai njihet menjëherë nga qeni i tij i vjetër i gjuetisë, Argosi, i cili në trailerin e Nolan shfaqet si qenush.

“Një shije e vogël e Argosit të ri ishte një gjë argëtuese për ta pasur dhe u gëzova që e bënë këtë”.

I konceptuar në gjurmët e suksesit të Oppenheimer, i miratuar nga Donna Langley e Universal dhe i vulosur në momentin kur Oscar për regji iu dorëzua Nolan me një përqafim nga Steven Spielberg – “U shemba disi në krahët e tij si një vrapues që kalon vijën e finishit”, thotë Nolani – filmi është, në çdo kuptim, fëmija i Oppenheimer.

“Mendova: në rregull, tani kam një mundësi të bëj një film që përndryshe nuk do të isha në gjendje ta realizoja”, thotë Nolan.

Thomas, gruaja e tij dhe partnerja në produksion, me të cilën flas më vonë, e shpreh edhe më qartë.

“Nuk besoj se ekziston ndonjë botë ku mund të kishim shkuar në një studio dhe t’u kishim thënë: ‘Ne duam të adaptojmë një poemë 2.700-vjeçare’, dhe kjo të konsiderohej automatikisht një film i madh. Ne po kërkonim një buxhet të madh për ta bërë. Kjo nuk do të kishte ndodhur pa Oppenheimer”.

Qëndrimi për nëntë muaj në fushatën e çmimeve bëri që Nolan të mos mund ta fillonte shkrimin deri në prill të vitit 2024, por kjo vonesë vetëm sa e mprehu përsiatjen afatgjatë mbi strukturën, të cilën ai kishte nisur sapo kishte zgjedhur poemën që nuk e kishte lexuar që nga shkolla fillore.

“Kam kaluar shumë vite në dhoma hoteli si kjo, duke folur për strukturat jo-lineare të filmave të mi sikur të ishin kaq radikale, dhe pastaj kthehesh te teksti më i vjetër themelor i letërsisë dhe ai ka një strukturë absolutisht radikale. Ka histori brenda historive, rikthime pas në kohë brenda rikthimeve pas në kohë. Dhe kjo menjëherë ishte emocionuese”.

Nuk ishte hera e parë që ai merrej me Homerin. Në fillim të viteve 2000, pas suksesit të Memento, Nolan u përfshi për një kohë të shkurtër në projektin e skenarit të David Benioff për Troy, bazuar në Iliadën, i cili më vonë u drejtua nga Wolfgang Petersen.

“Kështu që, kisha kaluar shumë kohë duke menduar: si ia paraqet këtë një publiku që tashmë e di se barku i atij kali është i mbushur me grekë?”, thotë ai. “Si e bën këtë të besueshme?”.

Imazhi që iu shfaq në mendje – fara e skenarit të tij të mëvonshëm për The Odyssey – ishte pamja e një monumenti të braktisur në breg, që po fundosej ngadalë në rërë.

“Ishte një përpjekje e dëshpëruar, ajo që në Amerikë e quajmë një ‘Hail Mary’, një akt absolut dëshpërimi që nuk duhet të funksionojë. Ky ishte imazhi i parë që pata. E mbajta me vete për 20 vjet. Gjithmonë kam dashur ta bëj”.

Pothuajse të gjithë e përshkruajnë atë si xhirimin më të vështirë të karrierës së tyre – si të bëje shtatë filma ambiciozë në një të vetëm, thotë Thomas. Aktorët dhe ekipi përshkuan shkretëtira, male, dete dhe peizazhe arktike, duke arritur shpesh në vendndodhje vetëm me helikopter ose pas ecjeve të gjata.

Ekipit të drejtorit të fotografisë, Hoyte Van Hoytema, iu desh të transportonte kamera IMAX prej 136 kilogramësh, me peshën e një frigoriferi të vogël, nëpër terrene ku vetëm dërgimi i njerëzve në sheshxhirim ishte një sfidë më vete.

“Në fund të çdo dite, drejtuesit e departamenteve hanin darkë dhe më pas binim të rraskapitur në një sallë projektesh për të parë materialet e xhiruara atë ditë”, thotë Thomas.

“Sa herë që kalonim një sfidë, mendonim: ‘O Zot, ia dolëm’. Dhe, pastaj mendonim: ‘Oh jo, javën tjetër kemi një gjë krejt tjetër me të cilën duhet të përballemi’. Ishte thjesht vazhdimësia e pandërprerë e sfidave që na dilnin përpara”.

Sigurisht, Nolan dhe vështirësitë janë miq të vjetër. Prirja e tij për të xhiruar në vende reale në vend të studiove, për të përdorur efekte “brenda kamerës” në vend të atyre të krijuara me kompjuter dhe për të xhiruar në IMAX – formati zhytës që mund të regjistrohet vetëm në intervale prej tre minutash dhe kërkon një mbështjellës të madh për të zbutur zhurmën e kamerës – ka bërë që deti i trazuar që goditi xhirimet e Dunkirk të duket si një mot paksa i keq.

A është vetë vështirësia qëllimi?

“Nuk është aspak”. thotë Nolan.

“Sa më shumë flasim për këtë, aq më shumë duket sikur ishte ndonjë lloj sprove herkuliane në stilin e Herzog-ut, por kjo nuk është aspak natyra ime. Në të vërtetë, gjithçka ka të bëjë me The Odyssey. Të duhen gjëra që nuk i ke parë më parë. Mërzitem në studio dhe në skena të ndërtuara, jo sepse dua që gjërat të jenë të vështira. Është sepse natyra dhe bota reale të japin një përmasë, një gamë mundësish dhe një spontanitet që nuk mund ta arrish në studio. Por, po, fizikisht ishte e lodhshme dhe pati raste kur ndihesha sikur ndoshta kisha marrë përsipër më shumë sesa mund të përballoja”.

Nëse ndonjëherë ka dyshuar te vetja, nuk ka ndodhur në sheshxhirim. Ka ndodhur një natë më parë.

“Flej mirë, sepse lodhem shumë”, thotë ai. “Por, të dielave më jepej mundësia të lexoja përsëri skenarin dhe të shikoja programin e javës që vinte”.

“Atëherë mendoja: ‘Oh dreq, si do t’ia dal me gjithë këtë javë?’ Dhe kjo shpesh më mbante zgjuar gjithë natën e së dielës, pa mundur të flija. Kështu që të hënën shkoja në sheshxhirim i rraskapitur, por isha i përgatitur. Kisha një rrugëdalje”.

Një vendndodhje në veçanti e shqetësonte vazhdimisht: rrënojat e kalasë Castello di Santa Caterina, mbi shkëmbinjtë e ishullit Favignana në Siçili, të cilën ai dhe skenografja Ruth De Jong e kishin zgjedhur si shtëpinë e Odiseut në Itakë.

Për të arritur atje, çdo ditë duhej bërë një ecje 45-minutëshe përgjatë një shtegu të pjerrët me gurë dhe kthesa.

“Kjo më rëndonte shumë, duke e ditur se do të ndodheshim në atë situatë, por morëm një energji të jashtëzakonshme nga aktorët dhe ekipi. E kishe Tom Holland që ngjitej në atë shteg si një gazelë, duke më bërë mua të ndihesha shumë plak dhe shumë i lodhur, por ai ishte shembull për të gjithë. Ishte plotësisht i përkushtuar”.

Ditën e fundit fare, pasi xhirimet përfunduan në studiot e Universal në Los Anxhelos rreth orës një të mëngjesit, Thomas hapi disa shishe shampanjë, siç bëjnë zakonisht ajo dhe Nolan.

“Për këtë film, mendoj se ishte hera e parë që e bëmë këtë dhe me të vërtetë dukej sikur askush nuk donte të largohej”, thotë Thomas. “Ishte sikur të ishim lidhur përmes traumës që kishim kaluar bashkë. Doje të vazhdoje, të hidheshe përsëri nga avioni”.

Përpara daljes së filmit, The Odyssey ka gjeneruar sasinë e zakonshme të zhurmës së luftërave kulturore, pasi disa pjesë të manosferës u fiksuan pas zgjedhjes së Lupita Nyong’o në rolin e Helenës dhe Elliot Page në rolin e Sinonit.

Poema epike e Homerit, e konsideruar si një rrëfim mbi trimërinë e burrave – “Më trego, o Muzë, për një burrë”, janë fjalët me të cilat fillon – është përqafuar së fundmi si një lloj fortesë nga konservatorët kulturorë që kërkojnë t’i rezistojnë asaj që ata e quajnë sulmi “woke”.

“Homeri është në modë, studimet gjinore janë jashtë mode”, shkroi së fundmi një aktivist.

Prandaj, ekziston një ironi e caktuar në faktin se, sipas mendimit tim, Nolan ka shkruar ansamblin më të fortë të personazheve femra të gjithë karrierës së tij.

Në filmin e tij, Helena, Penelopa, Kirka, Athena dhe Kalipso nuk janë thjesht çmime, tundime apo ndërhyrje hyjnore, por figura plotësisht të realizuara, të interpretuara me një fuqi të jashtëzakonshme.

“Në tekstin origjinal, ato janë ikona”, thotë Nolan.

“Problemi është se nuk ka shumë për to përtej këtyre idealeve, çfarëdo forme që ato marrin. Ajo që më pëlqen te mënyra se si gratë në këtë film i kanë interpretuar këto role është se të japin ndjesinë e personit që fshihet pas ikonës. Kur shikon Lupitën si Helenën, papritur krijon një ide se si do të ishte në të vërtetë të ishe shkaku i kësaj lufte dhe rrethimi të madh – çfarë do të thoshte kjo dhe çfarë do t’i bënte një njeriu. Pastaj Anne [Hathaway] si Penelopa – shumë e fortë, shumë e nuancuar”.

Ai thotë se kjo thellësi krijohet në bashkëpunim me aktorët dhe nuk imponohet thjesht nga skenari.

“Kam qenë në mjaftueshëm sheshe xhirimi për ta njohur atë moment të tmerrshëm kur, si skenarist dhe regjisor, të bëhet një pyetje për të cilën nuk ke përgjigje. Dhe duhet të kesh një përgjigje. Mund të ketë një paqartësi të planifikuar – mënyra se si Anne e ka luajtur Penelopën, pothuajse nuk doja ta dija çfarë kishte në mendjen e saj – por po, duhet të jesh gjithmonë i gatshëm”.

Nëse historia është një udhërrëfyes, pikërisht tani është koha kur Nolan fillon të ndiejë tërheqjet e para drejt projektit të tij të ardhshëm.

“Shenjat e para janë ndoshta rreth një javë pasi nuk ka asgjë për të bërë; ai fillon të bëhet vërtet i paduruar”, thotë Thomas. “Atëherë fillon të përqendrohet seriozisht te mendimi: ‘Në rregull, duhet të bëj diçka’”.

Në fund të fundit, pikërisht ky padurim e çoi deri në Itakë.

Por, The Odyssey nuk ka gjasa ta lirojë shpejt. Filmin e presin premiera të njëpasnjëshme në mbarë botën – nga Mumbai deri në Londër – të ndjekura nga ajo që me siguri do të jetë një fushatë e pandërprerë për çmimet, në çdo kategori, deri në pranverën e ardhshme.

“Jam kaq shumë i etur të kem një periudhë kur të mos kem asgjë për të bërë”, thotë ai.

“Më duket sikur ka kaluar shumë kohë që kur kam pasur një periudhë të tillë. Është e vërtetë – mërzitem shumë shpejt dhe kjo është një nga arsyet pse më pëlqen të kthehem në punë. Bëhem i paduruar”.

Ai ndalet për një çast.

“Por, tash për tash, gjithçka që shoh përpara është thjesht të përpiqem ta nxjerr filmin, ta publikoj dhe pastaj të bëj një pushim të vogël”. (The Guardian)