As Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta takojë kryeministrin e Kosovës pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Partia më e madhe opozitare në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se e falënderon Kurtin për ftesën por se beson që në kohë si këto, kur po pritet një vendim i Gjykatës më të lartë në vend, beson se “respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”.

Partia e prirë nga Bedri Hamza ka thënë se mbetet e hapur për dialog politik kurdo që kjo i shërben stabilitetit institucional.

“Në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Ky reagim i Partisë Demokratike të Kosovës vjen pas deklaratës që Kurti bëri të premten, ku tha se do t’i dërgojë ftesë liderëve të partive politike për takim për të diskutuar në lidhje me çështjen e Presidentit.

Seanca e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit dështoi për shkak të kuorumit. Një ditë pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin.

Ky vendim i Presidentes u mbështet nga partitë opozitare, por u kundërshtua nga Lëvizja Vetëvendosjes, e cila e cilësoi antikushtetues.

Kjo parti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars.