Aleanca ka zhvilluar një aktivitet simbolik, të cilin e kanë quajtur “Regjim në parti, regjim në shtet”. Para Kuvendit, ata kanë vendosur disa fotografi të deputetëve të Vetëvendosjes, në të cilat shkruan “Free nga regjimi Kurti-Dejona”.
Burim Ramadani, Deputet i Aleancës, ka thënë se deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë liri të fjalës.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve, thekson ai, “është që me ngritë vetëdijesimin edhe me e ekspozu atë që po ndodhë”.
“Dhe pyetja themelore është a keni dëgju ndonjëherë ndonjë deputet ose deputete të Vetëvendosjes që e flet mendimin e tyre? Përgjigja është jo. Sepse, partia e tyre udhëhiqet me grusht të hekurt. Pra, është jodemokratike”, tha Ramadani.
Ky, siç thekson ai, nuk është problem i kufizuar veç në Vetëvendosje. Problemi, konsideron ai, është se i njëjti model po tentohet “në mënyrë të vrazhdë të vendoset në krejt institucionet e Kosovës. Përkatësisht ky model me grusht të hekurt po tentohet të vendoset në shtetin e Kosovës”.
“Sot, bashkë me të rinjtë e Aleancës, ne kemi vendosë që ta bëjmë këtë aktivitet për të vendosë në pah faktin se deputetët e deputetet e Vetëvendosjes janë të bllokuar brenda këtij grushti të hekurt të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Dhe krejt çka mund të flasin në jetën e tyre, është vetëm atë që ua shkruan dikush tek nëna parti, ose kanë urdhër që të mos flasin e nuk flasin pastaj”.









