Si “aleate e Presidentit Donald Trump” e ka quajtur mediumi prestigjioz amerikan, “Fox News”, Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në një artikull që i ka kushtuar krizës politike në Kosovë, pas dëshmimit të seancës për zgjedhjen e Presidentit dhe shpërndarjes së Kuvendit nga Presidentja Osmani.
“Fox News” rikujtoi lëvdata që Trump i bëri Osmanit gjatë mbledhjes së Bordit të Paqes, ku i tha se “po bën një punë të shkëlqyer”.
“Me konflikte që po zhvillohen në mbarë botën dhe me presion mbi kontingjentin e NATO të vendosur në shtetin e Ballkanit Perëndimor për të ruajtur paqen, Osmani u tha gazetarëve se “pikërisht për shkak se situata gjeopolitike është kaq komplekse, është e rëndësishme të përfundojë ky proces zgjedhor që po vjen. Tani është shumë e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë më pas”, shkruan mediumi amerikan.
Për krizën politike në Kosovë, për “Fox News” ka folur edhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko. Ai ka thënë se “Kosova ka nevojë për qeverisje dhe pastaj për një kompromis për zgjedhjen e presidentit”. Ai shtoi se shpreson që Gjykata Kushtetuese të japë një zgjidhje.
Në artikull është përmendur edhe kundërshtimi i Kryeministrit Albin Kurti, ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, por edhe kriza politike gati një vjeçare që ishte krijuar pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.









