Qindra njerëz janë mbledhur që në mëngjes para objektit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Protesta, e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të mbahet sot në kryeqytetin e Holandës. Ajo nuk do të zhvillohet para Gjykatës, por në një shesh tjetër, disa metra larg objektit ku mbahen seancat.

Të hënën rifillon gjykimi, kësaj radhe me dëshmitarë ndërkombëtarë që dalin në anën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. I pari nga ta pritet të jetë James Rubin, ish-ndihmës i Sekretarit të Shtetit dhe zëdhënës kryesor i Madeleine Albright.

Në listën e dëshmitarëve kanë pranuar të jenë edhe Wesley Clark, ish-gjeneral i NATO-s; Bernard Kouchner, ish-kryeadministrator i Kosovës; William Walker, ish-shef i Misionit Verifikues në Kosovë; si dhe zyrtarë të tjerë amerikanë e britanikë.














