Situata e sigurisë dhe zhvillimet politike kanë qenë temat kryesore të diskutimit në takimin e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti e Ulutas kanë biseduar edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës.
“Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike, si dhe për situatën e sigurisë në vend dhe rajon. Krahas angazhimit për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, u diskutua edhe për bashkëpunimin e mirë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, si dhe mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të tij”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ulutas, theksohet aty, e uroi Kurtin edhe për fitoren në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit.









