Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Gjatë qëndrimit në Paris, krahas pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, Kurti do të zhvillojë takime bilaterale në margjina të Forumit, si dhe do të marrë pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Instituti Jacques Delors.

Zyra e tij ka njoftuar se sonte është i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit.

Kjo vizitë e Kurtit vjen dy ditë pasi që dështoi ta formojë Qeverinë e re. Ai, në seancën e së dielës, nuk arriti që t’i marrë 61 votat e nevojshme për të marrë drejtimin e ekzekutivit për herë të tretë.

Kurti dhe kabineti që ai e propozoi i mori 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime.