Në një sallë ku shpesh e vërteta për luftën e Kosovës është deformuar, dëshmia në Hagë, në procesin ndaj krerëve të UÇK-së, e gjeneralit ikonik, ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, është një rikthim i busullës në drejtimin e duhur.

Clark nuk do të jetë një dëshmitar formal në sallën e gjyqit. Ai është aty si dikush që ka qenë lart në hierarkinë vendimmarrëse ndërkombëtare, si njeriu që komandoi NATO-n kundër makinerisë ushtarake serbe, dhe pa të vërtetën e Kosovës, luftës së UÇK-së nga qielli dhe nga toka.

Pas presidentit Bill Clinton dhe Sekretares Madeleine Albright, Clark është një nga zërat më autoritativë për luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s.

Është e paprecedentë në historinë e gjykimeve ndërkombëtare që një figurë kaq vendimmarrëse e kohës të ulet në anën e palës që akuzohet.

Dëshmia e tij është një kthesë e madhe në procesin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Mendoni për një çast dy realitete: të vërtetën historike të Kosovës, të vërtetën e UÇK-së – të parë e përjetuar edhe nga Wesley Clark – dhe tregimin plot shtrembërime të prokurorisë për kryengritjen e Kosovës për liri e dinjitet, duke e portretuar si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

Për dy vjet, në sallën e gjykimit dhe në dosjet e saj, Prokuroria Speciale ndërtoi një proces që u quajt i padrejtë – për shkak se kriminalizoi tërë UÇK-në, dhe u konsiderua i kontaminuar – për shkak se u shërbye me dokumentacione nga organet e shtetit serb.

Dëshmia e gjeneralit Clark, ashtu sikurse edhe ajo e diplomatit James Rubin dhe të tjerëve të thirrur nga mbrojtja, është autentike dhe një testament i fortë për rreshtimin e botës krah UÇK-së.

Janë dëshmi që mbrojnë këtë rreshtim, sepse bota perëndimore nuk do të bëhej kurrë aleat me një “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”. As më 1999 dhe as tash.

Përballë këtyre dy realiteteve, paneli i gjyqtarëve duhet të vendosë se si do të mbahet në mend. Si një trupë që vlerësoi dëshmi kredibile dhe nuk pranoi të lëkunden themelet e drejtësisë, apo si një trupë që zbuti faktet dhe forcoi qasjen politike.

Ta njohë të vërtetën e Kosovës, apo ta rishkruajë historinë e saj.