Izraeli është përballur me kritika ndërkombëtare dhe protesta të enjten pasi ushtria e këtij vendi ka ndaluar gati të gjitha 40 anijet e një flote që po dërgonte ndihmë në Gaza e mori peng më shumë se 450 aktivistë të huaj, përfshirë aktivisten suedeze Greta Thunberg.
Kamerat që po transmetonin pamje direkte nga anijet shfaqën ushtarë izraelitë të armatosur, me helmeta e syze nate, duke hipur në anije, ndërsa pasagjerët mbanin duart lartë si shenjë dorëzimi.
Një video e publikuar nga ministria e jashtme e Izraelit tregon Thunberg, pasagjeren më të rëndësishme, tek ulet e rrethuar nga ushtarë.
Protestues pro-palestinezë u lëshuan rrugëve të Evropës, Argjentinës e Mexico City për të kundërshtuar kapjen e aktivistëve nga Izraeli. Sindikatat italiane thirrën një grevë të përgjithshme për të premten.
Flota Globale Sumud, organizatorja e udhëtimit, ka thënë në X se më shumë se 450 vullnetarë janë ndaluar.
Thunberg, 22 vjeçare, e njohur më së miri për protestat e saj ambientaliste, kishte xhiruar një video që u lëshua në emrin e saj pasi anija e saj u ndalua.
“Nëse po shikoni këtë video, unë jam ndalur dhe marrë pa vullnetin tim nga forcat izraelite”, ka thënë ajo. “Misioni ynë humanitar ishte i pa dhunshëm dhe në linjë me ligjin ndërkombëtar”.










