Palët negociatore të SHBA-së dhe Rusisë do të mblidhen në Florida këtë të shtunë për një palë bisedime të reja me qëllim përfundimin e luftës së kësaj të fundit në Ukrainë, ndërsa administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet ta sforcojë një marrëveshje të kënaqshme për Rusinë e Ukrainën.
Takimi vie pas atij të së premtes mes zyrtarëve amerikanë, atyre ukrainasë dhe atyre evropianë, takim ky që ka rritur shpresat për një zgjidhje përfundimtare për konfliktin që nisi në vitin 2022, kur Rusia nisi fushatën e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Emisari i presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmirtiev, është udhëheqësi i delegacionit rus që do të takohet me diplomatin amerikan, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. Marco Rubio, diplomati kryesor i Trump, ka thënë se mund të bashkohet po ashtu në takim.
Takimet e kaluara janë zhvilluar në klubin e golfit të Steve Witkoff në Miami.
Më herët gjatë javës, ukrainasit, amerikanët dhe evropianët raportuan për progres në garancitë e sigurisë për Kievin, një pjesë kyçe për përfundimin e luftës, por mbetet ende e paqartë nëse këto kushte do të jenë të pranueshme për Moskën.









