Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur ta çojë deri në fund betejën për Mitrovicën – nën dyshimet për manipulim të votave.

Kjo parti ka vendosur të bëjë ankesë në PZAP, duke pasur dyshime për manipulim dhe keqpërdorim të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.

Betim Gjoshi nga kjo parti, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se ankesa do të bëhet sot.

“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar Gjoshi.

Sipas tij, vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të votave, për të mundësuar një hetim të plotë mbi pretendimet e parregullsive.

Ajo njoftoi se ndërprerja ka ardhur pas raportimeve të komisionerëve për numra serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, të cilat mund të kenë lindur nga një gabim teknik ose mund të jenë pasojë e një manipulimi të mundshëm.

“Për të shmangur çdo dyshim, procesi i numërimit do të qëndrojë i pezulluar deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet. Në varësi të rezultatave të hetimit, do të merren masat përkatëse”, tha Prokuroria në një deklaratë.

Procesi i numërimit të votave për Komunën e Mitrovicës së Jugut është ndërprerë, për shkak të dyshimeve mbi fletëvotimet ku nuk përputhen numrat serikë të tyre me qendrën e votimit.

Në videot e dërguara në redaksinë e VOX-it, shihen disa fletëvotime problematike dhe mospërputhje të numrave serikë. 

Ajo që e ka bërë edhe më të dyshimtë këtë situatë është numri dukshëm më i madh i votave në Mitrovicë krahasuar me raundin e parë – diçka që nuk është vërejtur në komunat e tjera.

Ky dallim i numrave ka ngritur shqetësime për atë që njihet si “treni bullgar” – praktikë ku një fletëvotim nxirret jashtë dhe më pas futet sërish në kutinë e votimit nga një votues tjetër, duke u përsëritur kjo skemë vazhdimisht.

Për një javë me radhë, madje edhe ditën e zgjedhjeve, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka qëndruar disa herë në Mitrovicë. Nga opinionistë dhe parti opozitare janë shprehur shqetësime për presione të mëdha gjatë procesit zgjedhor nga Kurti dhe qeveria e tij.