Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla më në fund është deklaruar për gjendjen e tmerrshme të Kampit të Njësive Speciale “Enver Zymeri” që raportoi ekskluzivisht VOX Kosova.

Ai nuk e komentoi faktin që fillimisht raportimet u quajtën manipulim e pastaj Inspektorati e konfirmoi që raportimet ishin të sakta por tha se ato janë çështje konfidenciale.

“Për sa i takon Kampit “Enver Zymeri”, unë pyetjes suaj do t’ju përgjigjesha me një pyetje. A janë vetëm garazhet që janë investuar aty apo ka edhe diçka tjetër? Unë, për këtë çështje, është deklaruar Policia e Kosovës. Unë nuk e kam ndërmend të deklarohem për çështjet të cilat janë çështje konfidenciale brenda Policisë së Kosovës”, tha Sveçla.

Por, çuditshëm Sveçla tha se aty “kushtet aty janë me mijëra herë më të mira se që i kemi gjetur”.

“Por edhe këtu, në parim, mund të them që kushtet aty janë me mijëra herë më të mira se që i kemi gjetur. Në vazhdimësi punohet që këto kushte të ngrihen dhe, falë investimit në atë kamp, ne kemi sukseset të cilat askush nuk mund t’i mohojë në veriun e vendit tone”, deklaroi Ministri i Brendshëm në detyrë.

Këto deklarime Sveçla i bëri në paraqitjen e tij në konferencën për media ku foli për Ligjin për Shtetësi.

Kujtojmë që pas mohimit fillestar nga Policia kur VOX Kosova raportoi ekskluzivisht për gjendjen e mjerueshme e kushtet e tmerrshme të Kampit të Policisë Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

Policia e Kosovës tash ka konfirmuar se raportimi ishte i saktë dhe për këtë arsye ka shpallur tender për renovime në këtë qendër trajnimi e banimi të policëve të Kosovës.

Siç ju kujtohet, fillimisht e mohuan, ndërsa raportimin hulumtues e quajtën manipulim, por tashmë procedura e tenderimit është hapur dhe vlera e parashikuar për materiale ndërtimi e renovimi është 15 mijë e 927 euro.