Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, është shprehur optimist se do të votohet Qeveria e re me në krye Albin Kurtin, në seancën e sotme.
Ndonëse nuk u përgjigj drejtpërdrejtë pyetjeve të gazetarëve se a i kanë votat e nevojshme për Qeveri, ai uroi mandatin e tretë të Albin Kurtit.
“Përhajr iu koftë Kurti 3”, tha Sveçla në hyrje të Kuvendit.
Ndryshe, sot (e diel), duke filluar nga ora 10:00, Kurti do të paraqesë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë së re. Por, për t’u rizgjedhur Kryeministër i Kosovës, atij i duhen 61 vota, të cilat, në bazë të asaj që dihet, nuk i ka.
Kurti, para disa ditësh, la të nënkuptojë se nuk i ka 61 votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re. Gjatë një takimi me bashkatdhetarë në Londër, ai tha se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’ua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, deklaroi ai.
Kurti u mandatua nga Osmani më 11 tetor. Ai ka afat deri të dielën për ta paraqitur para Kuvendit përbërjen e re të qeverisë së tij.
Nëse Kurti nuk i merr 61 vota, atëherë Osmani duhet që brenda 10 ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Në rast se as në përpjekjen e dytë nuk zgjidhet qeveria, e para vendit duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.









