Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se “kanë qenë në kontakt shumë të afërt me Qeverinë e Kosovës dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe” para fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe kompromisit të kryeministrit Albin Kurti për serbët.

Kjo deklaratë, e bërë jo shumë kohë pas asaj të Aivo Orav, ish-ambasadorit të Bashkimit Evropian, se BE-ja ka pasur “bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës” dhe se më 14 mars 2026, pra atë ditë kur u njoftua kompromisi, “është arritur një marrëveshje”, rrit edhe më tej dyshimet se Qeveria e Kosovës ka zhvilluar takime të fshehta me BE-në dhe përfaqësues të politikës serbe, pa dijeninë e publikut.

“Ne kemi qenë në kontakt shumë të afërt me qeverinë dhe me kryetarët e komunave që preken më shumë nga kjo”, deklaroi ambasadori gjerman.

Qëndrimi ynë ka qenë që, nëse ligji zbatohet, prioriteti duhet të jetë që të bëhet në mënyrë që shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore të mos dëmtohen”, ka deklaruar në televizionin shtetëror të Kosovës.

Një ditë para fillimit të implementimit të Ligjit për të Huajt, pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Peter Sorensen, Emisar i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, u bë e ditur se ekzekutivi i Kosovës ka vendosur të lirojë qytetarët serbë në Kosovë nga obligimet që rrjedhin prej ligjit, duke u mundësuar leje qëndrimi dhe pune edhe për 12 muaj si dhe duke ua njohur dokumentet e institucioneve të tyre paralele për t’u faktuar në regjistrin civil te Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu do të hapë një dritare të re tre-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të regjistrojnë faktet civile, të cilat deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet përdorimi ID kartës, ekskluzivisht si mjet identifikimi, të lëshuar nga strukturat jolegale”, deklaroi Kurti të shtunën e 14 marsit.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti opozitare, për vite me radhë ishte decisivisht kundër marrëveshjeve, kompromiseve e madje edhe negociatave me Serbinë, duke u njohur, sidomos, për banderolën e famshme “Jo Negociata, Vetëvendosje”.