Për Qeverinë, Kuvendin e Presidentin tha Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, se ka diskutuar me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në takimin e së premtes, i cili u zhvillua në ambientet e Kuvendit.

“Kemi diskutuar edhe për Qeverinë, edhe për Kuvendin, kemi diskutuar edhe për Presidentin për shkak se tash po koincidojnë në të njëjtën kohë”, tha Kurti për gazetarë pas takimit.

Por, fokusi i takimit, Kurti theksoi se kanë qenë “më shumë zhvillimet aktuale politike; orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë”.

Megjithatë, aktualisht, ai njoftoi se nuk ka ndonjë marrëveshje mes dy palëve. “Ende nuk kemi ndonjë konkluzion, apo ndonjë të arritur të cilën do të mund ta ndanim me juve këtu”, potencoi ai ndër të tjera.