Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikisht i kërkuan Kosovës që është momenti i fundit të lidhet me projektet e gazit natyral të lëngshëm amerikan, Albin Kurti, heshti disa ditë.

Më pas foli, dhe me një përgjigje të dredhuar, i tha jo për herë të dytë një projekti strategjik amerikan e jetik për Kosovën.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kilowolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”.

Këtë lojë fjalësh, këto dredhime sikur thash po, por në fakt thotë jo, duke shpërndarë mjegull në publik, Kurti e kishte përdorur edhe në vitin 2021, kur ai i tha jo herën e parë projektit të njëjtë.

Në shtator të vitit 2021, nga foltorja e Kuvendit, Kurti shpërndante hamendsime, sikur përfshirja në gazin amerikan kishte kosto të lartë për buxhetin e Kosovës.

“Çfarë pjese do të ishte grant, e sa di të duhej të marrim kredi si shtet. Kush do ta ndërtonte dhe operonte me Termocentralin dhe me çfarë kushte dhe mbi të gjitha çfarë implikimi do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi në tarifat që do të t’i paguanin qytetarët dhe bizneset. Sepse atë energji do ta paguajë dikush në fund”, thoshte Kurti.

Madje, shkonte deri në atë pikë sa linte dilema nëse do të ishte gaz amerikan, apo se kërkesa për ndërtime termocentralesh me gaz nuk vinte nga autoritetet e SHBA-ve.

“Gjithashtu duhet qartësuar se kjo nuk ka të bëj me kërkesë të akterëve amerikanë. Kur po flasim për ndërtim të infrastrukturës në bashkëpunim me MCC-në nuk jemi duke folur thjesht për gaz amerikan por thjesht për ndërtim të infrastrukturës”, kishte thënë Kurti.

Me kësi manipulimi, sikur nuk bëhej fjalë për amerikanë, Kurti e shkatërroi projektin e madh energjetik të Kosovës mbështetur edhe nga SHBA-të, Termocentralin Kosova e Re.

“Kush është ai amerikan?”, pyeste Kurti.

Në Kuvend, Kurti dinte të fliste me të dhëna kundër gazit dhe projektit që asokohe diskutohej.

“Termocentrali me gaz i paraparë në atë projekt, do të hynte në përdorim pas 8 vitesh”, thoshte Kurti.

Por, kur e kishin refuzuar, arsyetimi kishte qenë se nuk kishin informata të mjaftueshme.

“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, thoshte Artane Rizvanolli.

Po kjo ministre, asokohe, do të shpërndante me gjeste e fjalë hamendsime në publik, sikur nuk është fjala për gaz amerikan.

“Nuk jemi duke folur për gaz amerikan ose të ndonjë shteti tjetër”, kishte thënë Rizvanolli.

Ky refuzim, me një narrativë populiste, me frikësime e me trillime, Kosovën e dëmtoi rëndë.

Vendi hyri në krizë të furnizimit me rrymë.

U rikthyen reduktimet.

U fryn faturat.

Dhe rreth 750 milionë të buxhetit të shtetit shkuan në import të energjisë.

Shumica prej tyre në xhepat e oligarkut famëkeq serb Vuk Hamoviç.

E njëjta situatë e manipulimit dhe metodave të refuzimit, po shihet edhe përballë kërkesës së dytë dhe shumë serioze amerikane për lidhje me projektin e gazit.

Në një anë, Kurti hesht ose flet përralla ofenduese për lidhje me projekte në Vlorë e në anën tjetër, zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes, sillen sikur nuk e kanë idenë se çfarë po ndodhë.

“Nuk e kam parë, nuk e kam parë. Më vjen keq, nuk e kam parë”, tha Albulena Haxhiu.

Imagjinojeni, detyrën e presidentes e ushtron dikush që bën sikur nuk e di dhe kështu tallet me një kërkesë jetike në aspektin ekonomik e politik për Kosovën dhe raportet me aleatin e saj strategjik, për hesape ditore të spektaklit politik.

Nëse dikur, refuzimi arsyetohej me mungesë informatash, pas pesë vjetësh, përballë kërkesës së njëjtë, cila është analiza prapa refuzimit?

Edhe tash, po si në vitin 2021, në publik mjeshtërisht janë lëshuar kaq shumë rrëfime nga Vetëvendosja, duke shpërndarë konspiracion me tonelata.

Disa thonë – paramendojeni – se nuk po e kërkon Amerika, po Ambasada Amerikane.

Disa të tjerë se është përfitim financiar i disa biznesmenëve amerikanë.

Të tjerë i japin nacionalitet gazit, duke thënë, paradoksalisht, se Amerika po e kërkon, po gazi në vetvete është rus.

Dhe plotë absurditet të ngjashme të cilat kanë për qëllim ta përgatisin një publik kundër kërkesës e në fund kundërshtimi të duket i natyrshëm.

Dhe kur Kurti përfundimisht t’i jap një JO të plotë e direkte kërkesës, të duket sikur pranoi verdiktin e popullit, kur në fakt popullit iu injektua kundërshtimi nga vetë këta.

Por, kësaj herë do jetë ndryshe. Kësaj herë Albin Kurti është i obliguar të jap një përgjigje të prerë në pyetjen që edhe vetë Amerika përmes Ambasadës së saj në Kosovë ia ka bërë: Je me ne, apo me Rusinë? Mes nuk ka.