Një nga momentet që ishte ndjerë tejet keq shpirtërisht, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se ka qenë kur Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në krah të Kryeministrit maqedonas, Hristjan Mickoski, deklaroi se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoni të Veriut.

“Ku jam ndjerë keq shpirtërisht, kur e kam parë në krah të Hristjan Mickoski-t zotin Kurti duke deklaruar se gjuha shqipe s’ka qenë kurrë zyrtare në Maqedoni. Atëherë, siç ta shpjegova, më sollën në kujtesë lotët e nënës së Afrim Kalanicës”, tha Ahmeti në një intervistë për RTV21.

Kurti, gjatë një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin nacionalist maqedonas Mickoksi, më 19 nëntor 2024, kishte deklaruar se “nuk ka në Maqedoni të Veriut Ligj për Përdorimin e Gjuhës Shqipe”, ndonëse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Neni 1, e thotë qartësisht se “Në tërë territorin në Republikën e Maqedonisë gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe gjuhë tjetër që e flasin së paku 20 për qind e Qytetarëve, gjuha shqipe”.

Në këtë drejtim, Ahmeti rikujton se këto “janë çështje të ndjeshme” dhe se për të arritur të drejtat e tyre kombëtare në RMV, shqiptarët kanë sakrifikuar shumë.

“Për gjuhë e flamur shqiptarët luftë kanë bërë e nuk janë përkulur. Edhe barin mbi varre na i kanë shkelur, por ama të përkulur jo”, shtoi ai.

Lideri i BDI-së vlerëson se “nuk është mirë autoritetet në Kosovë e Shqipëri, pa pasur informacion të saktë e të detajuar, të mos nguten”.

Sepse, sipas tij, në këtë formë pastaj “shkaktojnë hidhërim e pezëm te popullata shqiptare në Maqedoni”.

“Si mund të përzihem unë tani në punët e brendshme të Kosovës? Kosova ka autoritetet e veta, ka Qeverinë e vet, Kuvendin e vet”, potencoi ai ndër të tjera.

Kurti është angazhuar aktivisht në politikën e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Madje, ai ka qenë edhe kumbari i krijimit të koalicionit “VLEN”, të cilët, ndonëse humbën zgjedhjet në kampin shqiptar përballë BDI-së, u bën pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Mickoksi.