Në Hagë ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku do të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve.

Në seancën e së hënës, fillimisht mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, u prezantua në sallën e gjyqit.

Më pas, fjala u kalua te Prokuroria e Gjykatës Speciale, e cila do të paraqesë fjalën përfundimtare të saj.

Pas tyre, fjalën përfundimtare do ta kenë mbrojtësit e viktimave dhe më pas mbrojtja e të akuzuarve.

Në seancën e fundit, më 18 shkurt, krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi – do t’i kenë në dispozicion nga 20 minuta për të dhënë qëndrimet e tyre.

Pas kësaj, trupi gjykues ka 90 ditë kohë të tërhiqet për vendimin përfundimtar.

Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.