Deklarata e miratuar nga Kuvendi për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, merr kuptim vetëm nëse miratohet ligji për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ka thënë ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj.
“Kjo deklaratë e stërvonuar, 13 ditë pas vendimit dënues, merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave miratohet në Kuvend ligji i cili e zhbën Gjykatën Speciale”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Të gjitha të tjerat, siç thekson ai, “përfshirë edhe takimet e errëta, janë thjesht kalkulime politike”.
“Logjika e kontestimit të lartësisë së dënimit ‘dënim i rëndë apo dënim i lehtë’ nuk përkon me kombin shqiptar, i cili është ngritur në këmbë në të gjitha sheshet e botës, me të vetmen thirrje: JO NË EMRIN TIM”, potencoi ai.
Në senacën e së hënës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratë në lidhje me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shpreh shqetësim të thellë për këtë aktgjykim.
Deklarata u miratua më 99 vota për dhe asnjë kundër.
Në deklaratë, kërkohet nga institucionet që të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e pastërtisë së luftës së UÇK-së.
“Kuvendi i Kosovës… shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, thuhet në deklaratën të cilën e lexoi Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Aty theksohet se Kuvendi e konsideron “si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal”.
“Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, shtohet tutje.
Në deklaratë theksohet edhe se Kuvendi kundërshton çdo përpjekje “për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë”.









